Shtëpia e Bardhë u bë dje objekt kritikash si rrjedhojë e njoftimeve se mund të mos i ketë kushtuar vëmendjen e duhur kërcënimit global të terrorizmit dhe është përqëndruar tek Iraku pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit ndaj Shteteve të Bashkuara.
Senatori demokrat Joseph Biden tha dje në një program të rrjetit televiziv ABC se mendon që lufta në Irak ka zhvendosur vëmendjen nga përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të luftuar rrjetin terrorist al-Kaida në Afganistan.
"Angazhimi për Irakun bëri që të mos dërgoheshin forca të tjera në Afganistan. Administrata synonte t’i mbante këto forca për Irakun. Në Afganistan duhet të ishin dërguar shumë më tepër trupa."
Senatori Biden fajësoi administratën e presidentit Bush për zhvendosjen e vëmendjes nga ky problem para kohe.
"Për sigurinë e mbesës sime që ndjek shkollën këtu në Washington, më shqetëson shumë më tepër al-Kaida se sa më shqetësojnë 10 Sadam Husenë. Angazhimi për Irakun na bëri të largojmë vëmendjen nga tema më e rëndësishme."
Senatori i bëri këto komente në një kohë kur ish-bashkërenduesi i përpjekjeve anti-terroriste i Shtëpisë së Bardhë, Richard Clarke ngriti akuza se administrata e presidentit Bush nuk i përfilli kërcënimet nga al-Kaida.
Senatori republikan Chuck Hagel tha për rrjetin ABC se e shqetësojnë akuzat e zotit Clarke që administrata e presidentit Bush nuk i ka kushtuar vëmendje të mjaftueshme rrjetit al-Kaida.
"Nëse ky rrezik nuk shqyrtohen nga nivelet më të larta të qeverisë për të marrë vëmendjen e duhur, ai lihet në harresë. Siç shkruan në librin e tij zoti Clarke, pikërisht kjo ndodhi, pra rreziku nuk u shqyrtua dhe nuk u trajtua si përparësi, gjë që përbën një akuzë shumë serioze."
Ndërkaq, një senator tjetër republikan, zoti John Mccain mbrojti administratën e presidentit Bush gjatë një interviste dje për rrjetin televiziv Fox. Senatori Mccain tha se mendon që veprimet e Shteteve të Bashkuara treguan se Washingtoni ndoqi politikën e duhur.
"Në ditët e para pas sulmeve të 11 shtatorit u hapën mijëra diskutime lidhur me vende të ndryshme dhe kërcënimin që ato mund të paraqisnin për Shtetet e Bashkuara, përfshirë Iranin, Sirinë dhe vende të tjera. Por jam i bindur se kjo administratë ndërmori veprimet e duhura kur ndërhyri në Afganistan për ta luftuar al-Kaidën në atë vend."
Libri i ri i zotit Clarke del nesër në shitje. Në këtë libër, ish-zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë për luftën kundër terrorizmit paraqet në hollësi vëzhgimet e tij gjatë karrierës 30 vjeçare si punonjës i qeverisë amerikane, përfshirë edhe kohën kur shërbente si Kryetar i Grupit të Sigurimit kundër terrorizmit, në të cilin përfshihen përfaqësues nga FBI-ja, CIA, Departamenti i Drejtësisë dhe shërbimet e armatosura. Zoti Clarke doli në pesion vitin e kaluar.
//ze//