Lidhje

Përvjetori i parë i luftës në Irak - 2004-03-19


Një vit pas luftës në Irak, koflikti dhe periudha që pasoi vazhdojnë të jenë çështje madhore politike në Shtetet e Bashkuara.

Në fushatën për rizgjedhje në gjithë vendin, Presidenti Bush u kujton votuesve se beson se operacioni ushtarak për të përmbysur Sadam Huseinin ishte një pjesë thelbësore e luftës kundër terrorizmit.

“Kështu ne duhet të merrnim një vendim. Unë duhej të merrja një vendim: ose të besoja fjalën e një të çmenduri, ose të merrja masa për të mbrojtur vendin. Sa herë të kem një dilemë të tillë, unë do të vendos për mbrojtjen e Amerikës”, tha presidenti.

Senatori John Kerry që mesa duket do të jetë kundërshtari demokrat në zgjedhjet e nëntorit kritikon administratën se është nxituar kur shkoi në luftë dhe se nuk ka bashkëpunuar më ngushtë me aleatët amerikanë jashtë Shteteve të Bashkuara. “Të gjithë ne i mbështesim trupat. Por nëse do të kishim krijuar një koalicion të vërtetë, këtyre trupave nuk do t’u ishte dashur të luftonin thuajse të vetme dhe amerikanëve nuk do t’u ishte dashur të përballonin thuajse të vetme të gjitha shpenzimet në Irak”, tha ai.

Por ndërsa përkrahësit dhe kundërshtarët e luftës bëhen gati të shënojnë njëvjetorin e fillimit të luftës në Irak, duket se qëndrimi i amerikanëve ndaj luftës nuk ka pësuar shumë ndryshim, duke mbetur rreth 60 për qind sipas anketave.

Karlyn Bowman merret me vëzhgimin e opinionit publik për Irakun dhe çështje të tjera në Institutin Amerikan Enterprise në Washington.

“Është gjithashtu e qartë nga të dhënat se amerikanët besojnë se lufta në Irak ishte pjesë e luftës kundër terrorizmit dhe se ne jemi më të sigurt. Ajo nuk del qartë në anketa është nëse amerikanët mendojnë se presidenti Bush ka një plan të qartë për gjendjen, apo nëse njerëzit i besojnë argumentat e tij se ngritja e një demokracie funksionale në Irak do të pakësojë rrezikun e terrorizmit. Të gjitha anketat e fundit tregojnë se amerikanët beosjnë se vendimi për të shkuar në luftë ishte i drejtë. Por mendimet janë më të ndara për faktin nëse lufta ia vlejti”.

Analistët politikë thonë se nuk ka dyshim që lufta e Irakut kishte një ndikim të madh në garën për emërimin e partisë demokrate të kandidatit presidencial, veçanërisht në fazat e para.

Kundërshtimi i luftës nga ish-guvernatori i Vermontit Howard Dean e bëri atë në fillim kandidatin kryesor për emërimin demokrat në vitin 2003.

Por ndërsa zgjedhjet paraprake demokrate filluan në janar, qëndrimi i Howard Deanit filloi të ndryshojë dhe shumë demokratë filluan të mbështesin senatorin Kerry.

Për momentin gjithsesi Iraku e ka humbur rëndësinë si çështja më madhore në fushatë, duke ia lënë vendin ekonomisë, por analisti politik Norman Ornstein tërheq vemendjen se lufta dhe periudha që pasoi mund të rishfaqen si çështje në zgjedhjet e nëntorit. “Me 130 mijë trupa në Irak, me angazhimin që kemi marrë, me largimin e disa trupave dhe ardhjen e të tjerave dhe me transferimin e pushtetit në atë vend, mund të ndodhin gjëra në terren që kthejnë Irakun përsëri në çështjen numër 1. Nëse munden ta shmangin, njerëzit do të parapëlqenin të përqendroheshin tek çështjet e brendshme, por ata mund të mos jenë në gjendje ta shmangin një gjë të tillë”, thote analisti.

Shumë analistë politikë besojnë se Presidenti Bush do të ketë një avantazh në zgjedhje, nëse çështjet e sigurisë kombëtare kthehen në kryesore. Por senatori Kerry do të ketë avantazh nëse njerëzit votojnë duke u mbështetur kryesisht në çështje të brendshme, si ekonomia dhe sistemi shëndetësor.

//rd//

XS
SM
MD
LG