Lidhje

Departamenti amerikan i Shtetit bën thirrje për distancim nga dhuna - 2004-03-18


Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje banorëve të Kosovës të heqin dorë nga dhuna dhe të bashkëpunojnë me UNMIK-un për rikthimin e rendit dhe qetësisë. Zëvendës-Ndihmësja e Sekretarit të Shtetit për Evropën, Kathleen Stephens, tha se rruga e dhunës e ngadalëson procesin drejt të ardhmes së Kosovës.

Zyrtarja amerikane u bëri thirrje banorëve të Kosovës, udhëheqësve politikë të saj që të punojnë për të ndërprerë aktet e dhunës dhe për rikthimin e rendit në Kosovë.

“Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve të qeverisë së përkohshme të Kosovës, partive politike, udhëheqësve të komuniteteve që të punojnë me UNMIK-un për rikthimin e rendit në Kosovë: t’u kujtojnë njerëzve atë që është e rëndësishme: siguria e gjithë banorëve të Kosovës, respekti për shtëpitë, kishat, pronat e gjithë banorëve të Kosovës dhe të mos harrojnë se e ardhmja është në vetë duart e tyre.”

Uashingtoni tha Zëvendës-Ndihmësja e Sekretarit të Shtetit për Evropën, Kathleen Stephens, mbështet plotësisht përpjekjet e UNMIK-ut dhe të KFOR-it për vendosjen e qetësisë në Kosovë. Dhuna e ditëve të fundit, tha ajo, nuk ka asnjë justifikim.

“Për dhunën nuk asnjë justifikim. Për djegien e shtëpive të banorëve, për djegien e objekteve të tyre fetare nuk ka asnjë justifikim. Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara kanë bërë përpjekje të mëdha dhe vazhdojnë të jenë shumë të angazhuar për të punuar për një të ardhme në Kosovë siç u nënvizua gjatë vizitës së zotit Grosman atje nëntorin e kaluar.”

Zonja Stephenes theksoi se politika e komunitetit ndërkombëtar në të ardhmen për Kosovën do të vazhdojë të mbështetet tek plotësimi i standarteve.

“Absolutisht. Mos harroni se standartet janë ato që ka nevojë çdo vend për t’u bashkuar me komunitetin e vendeve të begata, me demokraci të qëndrueshme. Unë besoj që kjo është edhe dëshira e popullit të Kosovës.”

Zonja Stephens theksoi se Uashingtoni shpreson për një Kosovë shumë-etnike dhe demokratike që të bashkohet me Evropën demokratike. Dhuna theksoi zyrtarja e Departamentit të Shtetit e ngadalëson këtë proces, nuk e ndihmon atë. Zonja Stephens shprehu optimizëm se angazhimi i Shteteve të Bashkuara, i partnerëve të Amerikës dhe i OKB-së së bashu me angazhimin e banorëve të Kosovës, do të stabilizojë gjendjen për të ecur përpara.

//rd//

XS
SM
MD
LG