Lidhje

Kosovë: autoritetet dënojnë sulmin ndaj një të riu serb - 2004-03-16


Kryeadministratori i Kosovës Harri Holkeri dënoi sot sulmin ndaj një të riu serb në një fshat të Kosovës duke thënë se veprime të tilla nuk i shërbejnë interesave të ndonjë komuniteti dhe duhet të dënohen. Zoti Hollkeri tha në një deklaratë me shkrim se ato vetëm dëmtojnë imazhin e Kosovës, gjë që duhet të jetë shqetësim për të gjithë popullin e Kosovës.

Kryeadministratori ka theksuar nevojën për bashkëpunim më të ngushtë midis policisë dhe të gjitha komuniteteve për t’i sjellë autorët e aktit para drejtësisë. Zoti Holkeri ka theksuar gjithashtu se nuk miraton dhunën që pasoi plagosjen e të riut serb Jovica Ilic.

Edhe Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka dënuar plagosjen e të riut serb, duke kërkuar që ky akt kriminal të hetohet dhe përgjegjësit të nxirren para drejtësisë. Zoti Rugova ka kërkuar që të ketë siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës, ndërkohë që incidentet kriminale të hetohen nga organet për zbatimin e ligjit. Në pritje të kësaj, të gjithë qytetarët duhet të sillen në përputhje me dispozitat për sundimin e ligjit.

Kryeadministratori i Kosovës Harri Holkeri takohet me kryeministrin Bajram Rexhepi

Në një tjetër zhvillim, Kryeadministratori i Kosovës Harri Holkeri është takuar sot me kryeministrin Bajram Rexhepi dhe anëtarë të kabinetit të tij për të diskutuar çështje që kanë të bëjnë me standartet, dialogun me Beogradin, financimin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe kompaninë elektroenergjetike të Kosovës. Zoti Holkeri, siç njoftoi sot pasdite vonë zyra për shtyp e UNMIK-ut, ka kërkuar që të bëhen përpjekje të shpejta për të përfunduar sa më shpejt që të jetë e mundur planin për zbatimin e standarteve që po përgatitet nga UNMIK dhe qeveria e zotit Rexhepi. Zoti Hollkeri ka thënë se nuk ka kohë për të humbur me përgatitje. Lidhur me dialogun Prishtinë-Beograd, zoti Hollkeri i ka kërkuar qeverisë së Kosovës që të bëjë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të vazhduar me hapa konkrete. Zoti Holkeri ka thënë se gjendja politike në Beograd nuk duhet të jetë shfajësim për këtë.// lk //

XS
SM
MD
LG