Presidenti Putin tha në fjalimin e transmetuar nga televizioni shtetëror se gjatë mandatit të dytë të tij në qeveri, do të punojë për të konsoliduar ato që ai i quajti fitore demokratike të arritura gjatë katër vjetëve të shkuara.
Duke folur disa orë pasi u mbyllën kutitë e votimit dhe u dhanë rezultatet e para jozyrtare, presidenti Putin tha se qeveria e tij do të punojë për të siguruar një rritje ekonomike më të madhe dhe për të forcuar shoqërinë civile dhe lirinë e shtypit. Ai tha gjithashtu se tani që gjendja në vend është e qëndrueshme, qëllimi i tij kryesor do të jetë rritja e standarteve të jetesës për rusët.
Presidenti Putin tha se nuk është bërë sa duhet për të nxjerrë nga varfëria të paktën 25 përqind të popullësisë.
Ai premtoi të garantojë sistemin politik shumëpartiak të Rusisë, që kritikët thonë se ekziston vetëm me letër.Kritikët shtojnë se zoti Putin arriti të manipulojë mediat për të siguruar rizgjedhjen e tij.
Në arenën ndërkombëtare, presidenti Putin premtoi të mbrojë interesat kombëtare të Rusisë pa përdorur, ato që ai i quajti, masa agresive apo ballafaquese.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Alexander Veshnyakov, njoftoi fitoren e zotit Putin sot në mëngjes në Moskë, pas numërimit të 99 përqind të votave. Zoti Veshnyakov tha se presidenti në detyrë siguroi 71.2 përqind të votave.
Sipas zotit Veshnyakov, vetëm njeri prej pesë rivalëve të presidentit Putin mori më shumë se 10 përqind të votave. Ai ishte Nikolai Kharitonov i Partisë Komuniste që siguroi 14 përqind të votave.
Pas shqetësimeve fillestare të Kremlinit, numri i atyre që votuan ishte 64 përqind, shumë më tepër se 50 përqindëshi i kërkuar për t’i shpallur zgjedhjet të vlefshme.
Zoti Veshnyakov tha se rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale do të dalin më 25 mars. Por ai theksoi se ky është një formalitet dhe tha se është i sigurt se rezultati do të qëndrojë. Ai njoftoi gjithashtu lidhur me disa shkelje të vogla në votimet e së djelës, por shtoi se ato u zgjidhën shumë shpejt.
Opozita dhe vëzhguesit ndërkombëtarë e kundërshtojnë këtë deklaratë duke thënë se zgjedhjet u manipuluan nga presidenti aktual duke ushtruar trysni mbi votuesit dhe duke shpërdoruar median.
Julian Peel Yates, është kryetar i një misioni të përbashkët të Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë dhe të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ai u tha gazetarëve sot në Moskë se votimet presidenciale në Rusi patën mangësi serioze. "Në përgjithësi procesi zgjedhor nuk pasqyroi në masën e duhur parimet e nevojshme për një proces demokratik zgjedhor. Elementet thelbësore të angazhimeve të OSBE-së dhe standardeve të Këshillit të Evropës për zgjedhjet demokratike, siç është debati i hapur politik dhe pluralizmi i mirëfilltë, nuk ishin të pranishme. Procesi nuk plotësoi standardet që duhet të plotësojë media në fushatat e zgjedhjeve".
Por në të njejtën kohë, zoti Yates vlerësoi pozitivisht Rusinë për administrimin përgjithësisht të mirë të zgjedhjeve. Por ai shtoi se vëzhguesit vunë re raste të shpërdorimit të pozitave zyrtare dhe disa herë edhe kërcënime. //rd//