Serbia ka tani një qeveri të re. Cilat janë shanset që kjo qeveri të jetë e qëndrueshme dhe e efektshme? Si e interpreton qëndrimin e zotit Koshtunica ndaj Gjykatës së Hagës studjuesi serbo-amerikan Damjan de Krnjevic-Miskovic, redaktor-përgjegjës i revistës The National Interest? Në një intervistë për Zërin e Amerikës, veç të tjerash, zoti Krnejvic-Miskovic tha se qendrimi i qeverise se re te Serbise ndaj Gjykatës së Hagës, do të jetë i ndryshëm nga ai i qeverisë së mëparshme, por kjo nuk do të thotë se Serbia nuk do te bashkëpunojë me Gjykatën. Zoti Miskoviç gjithashtu ështe i mendimit se ideja e kantonizimit e propozuar nga zoti Koshtunica, nuk do te thotë ndarje e Kosovës.
Zëri i Amerikës:Serbia ka tani një qeveri të re. Cilat janë shanset që kjo qeveri të jetë e qëndrueshme dhe e efektshme?
Damjan Kërnjevic-Miskovic: Mendoj se qeveria e re do të jetë e qëndrueshme. Kjo nuk do të thotë që ajo ta përfundojë të gjithë mandatin e saj, por jam i mendimit se ajo do të jetë e qëndrueshme për disa arsye. Fillimisht, nuk është në interesin e partive që bëjnë pjesë në qeveri, apo që e mbështesin atë, dhe këtu kam parasysh socialistët, që qeveria të shpërbëhet, pasi në se do të kishte zgjedhje të reja, rezultati i tyre, natyrisht që për socilistët do të ishte më keq. Partia e Sheshelit, ndoshta do t’u merrte vota socialistëve, dhe t’i linte të papërfaqësuar në Parlament. Në Beograd qarkullojnë zëra që pas 100 ditëve të para të qeverisjes, ndoshta Partia Demokratike nën udhëheqjen e Boris Tadiç-it mundet ose të hyjë në qeveri duke e bërë këtë një qeveri të shumicës, ose të jetë një nga partitë që e përkrahin pa qënë anëtarë, qeverinë e pakicës. Nuk përjashtohet mundësia që diçka mund të ndodhë në 2-3 vjetët e ardhshëm, që mund ta detyrojë të japë dorëheqjen qeverinë e pakicës, arsye të ndryshme, si për shembull, Kosova. Megjithatë, mund te them tani për tani, se qeveria e re e Serbisë është relativisht e qëndrueshme.
Zëri i Amerikës: Në fjalimin e tij të inaugurimit zoti Koshtunica u shpreh me vendosmëri për kantonizimin e Kosovës dhe mosbashkëpunimin e mëtejshëm me Gjykatën e Hagës. Si mendoni se do të ndikojë kjo në imazhin e Serbisë në përgjithësi, por edhe në marrëdhëniet e saj me botën?
Damjan Kërnjevic-Miskovic: Ka dy pyetje këtu. E para ka të bëjë me idenë e Koshtunicës për kantonizimin e Kosovës dhe e dyta, për bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës. Të flasësh për kantonizimin, nuk është ashtu sikurse thonë disa njerëz, një hap i parë për ndarjen e Kosovës. Koshtunica është kundër ndarjes, për arsye se qëndrimi zyrtar i Serbisë dhe Malit të Zi është që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë dhe Malit të Zi, sipas rezolutës 1244. Kjo është arsyeja përse Koshtunica është i mendimit për kalimin e kompetencave dhe decentralizmin, që ai e quan kantonizim. Kjo është e rëndësishme, sepse argumenti i tij është se serbët tani trajtohen si qytetarë të dorës së dytë, ata nuk kanë liri lëvizjeje, pak çështje të sigurisë janë zgjidhur, ka probleme të strehimit, arsimit, të shëndetësisë, kthimi i të zhvendosurve nuk është realizuar dhe Koshtunica mendon se të gjitha këto do të marrin drejtim pozitiv, në se do të kishte një kalim kompetencash dhe decentralizimi, si dhe një masë të caktuar vetëqeverisjeje në Kosovë.
Zëri i Amerikës: Por kjo nuk është një çështje që ka të bëjë me vendimin e zotit Koshtunica, kjo është një çështje që vendoset nga komuniteti ndërkombëtar...
Damjan Kërnjevic-Miskovic: Sigurisht, por në anën tjetër nuk është diçka që nuk ka të bëjë me Serbinë, është e qartë për të gjithë, se Kosova, ndërsa është nën administrimin e komunitetit ndërkombëtar, është pjesë e Serbisë dhe Malit të Zi, sipas rezolutës së OKB-së, prandaj, mendoj se fakti që ai po propozon një mënyrë për ta bërë Kosovën një vend me kushte më të mira për banorët e saj, si qytetarë me të drejta të plota, është një argument konstruktiv. Fakti është se gjatë këtyre tre vjetëve, çdo vit UNMIK- dhe të tjerë kanë thënë: ky do të jetë viti i kthimit të refugjatëve serbë... dhe ata nuk janë kthyer. Ky është viti i lëvizjes së lirë për banorët serbë të Kosovës dhe kjo nuk ka ndodhur, ky është viti kur do të rindërtohen shtëpitë e tyre... dhe kjo nuk është bërë. Argumenti i Koshtunicës është: në se doni statusin përfundimtar, këto gjëra duhen zgjidhur. Ndodh që është në interesin e popullsisë serbe të Kosovës, që këto të realizohen. Pra, në se këto çështje duhet të zgjidhen, duhen bërë përpjekjet e nevojshme dhe argumenti ështe se janë bërë përpjekje, por të pasuksesshme. Kjo nuk do të thotë ndarje e Kosovës, sikurse thonë disa dhe Koshtunica e kupton se në Kosovë ka një të ardhme si për shqiptarët edhe për serbët; kjo, për mendimin tim është diçka e mirë. Lidhur me çështjen e bashkëpunmit me Gjykatën e Hagës. Unë sapo e lexova fjalimin e zotit Koshtunica, ku ai flet për bashkëpunim me Gjykatën e Hagës. Ai nuk thotë se nuk do të bashkëpunojë me gjykatën. Ai thotë: qeveria do të bëjë ç’është e mundur që bashkëpunimi të jetë i dyanshëm, që do të thotë se Koshtunica e kupton qartë se qeveria e Serbisë ka firmosur marrëveshje me Gjykatën e Hagës, se ato do të respektohen. Koshtunica po ushtron trysni që një numër i madh i personave të gjykuar në Hagë, ta kryejnë dënimin në Serbi dhe për mendimin tim, kjo është më se e drejtë. Për një të dënuar për krime lufte është më mirë ta vuajë dënimin në Serbi se sa në burgjet e Hagës ku kanë edhe televiozir me kabëll. Ideja e Koshtunicës është: sa herë që arrestohet një person dhe dërgohet për gjykim në Hagë, vijnë padi të reja. Kjo gjë duhet të ndalohet. Për mendimin tim, kësaj loje nuk i dihet fundi dhe ajo është një faktor destabilizuas në politikën brendshme të Serbisë. Por le të shohim se si do të veprojë praktikisht Koshtunica me Gjykatën e Hagës. Është e qartë se do të ketë një ndryshim në mënyrën se si do ta trajtojë qeveria e re këtë çështje, e krahasuar me qeveritë e mëparshme. Unë këtu nuk shoh fundin e bashkëpunimit, përkundrazi, për mendimin tim, do të kemi një bashkëpunim më të fuqishëm, sepse ai nuk do të jetë për arsye politike, por për hir të drejtësisë, të parimeve. Më duket se në rastin e Koshtunicës, ideja e tij ka të bëjë me një bashkëpunim më të fuqishëm.
Zëri i Amerikës: A mendoni se çështja e zgjidhjes së statusit të Kosovës po e mban peng si Serbinë edhe Kosovën, në zhvillimin e mëtejshëm të vendit?
Damjan Kërnjevic-Miskovic: Jam i mendimit se po i dëmton si Serbinë, edhe Kosovën, sepse për të dy ka një lloj vonese për përmirësimin e gjendjes. Beogradi po përpiqet të bëjë ç’është e mundur në mënyrë të tillë, që statusi përfundimtar të mos diskutohet, të paktën këtë e ka bërë qeveria e mëparshme, ndërsa Prishtina nga ana e saj, përpiqet që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt, pa plotësuar më parë standartet, siç është për shembull, kthimi i të zhvendosurve. Mendoj se në se të dyja palët bashkëpunojnë për t’i përmbushur në mënyrë konstruktive standartet dhe shumica e tyre ka të bëjë me gjendjen e popullsië serbe në Kosovë, mendoj se në këtë rast do të përfitonin të dyja palët. Beogradi do të përfitonte, se serbët e Kosovës do të jetonin më mirë. Prishtina do të përfitonte, se ky është një hap në drejtim të statusit të saj përfundimtar. Mendoj se diçka duhet të jetë e qartë për Prishtinën, se bisedimet për statusin përfundimtar nuk do të fillojnë para përmirësimit të gjendjes për pakicën serbe. Në se kjo është diçka e mirë, apo e keqe eshte tjetër temë, por ky është realiteti. Jam i mendimit se do të shohim një ndryshim në politikën e qeverisë së Serbisë. Koshtunica foli për Kosovën si çështja më e rëndësishme për shtetin, qeverinë, dhe parlamentin, që do të fillojë punën së shpejti. Këtu kemi të bëjmë me një ndryshim të rëndësishëm nga politika e qeverisë së mëparshme dhe në këtë drejtim do të shohim më tepër lëvizje dhe diskutime serioze. Pastaj duhet parë se si do të bien dakord të dyja palët. Këtu mendoj se duhet të ndërhyjë komuniteti ndërkombëtar.