Lidhje

Armiqtë e lirisë së Irakut nuk do të kenë sukses - 2004-03-05


Më 2 mars shpërthimet terroriste në Qerbela dhe Bagdat shkaktuan vdekjen e më shumë se 100 irakianëve e pelegrinëve fetarë si dhe plagosjen e qindra të tjerëve. Thuajse të gjithë personat e vrarë apo të plagosur ishin shiitë, të cilët kishin dalë për të kremtuar festën fetare të Hashures, dita më e shenjtë e vitit për sektin e tyre të islamizmit.

Sekretari i jashtëm britanik Jack Straw tha se nuk ishte e rastit që shpërthimet ndodhën në atë moment të caktuar:

"Këto ngjarje kanë ndodhur në ditë kremtimesh të komunitetit shiit, në ditën e përkushtimit të tyre, por gjithashtu një ditë më pas erdhi një lajm shumë i mirë nga Iraku se është arritur një marrëveshje për një kushtetutë të përkohshme, e cila do të përgatisë terrenin për t’i dhënë fund qeverisjes nga forcat e koalicionit në fund të qershorit dhe për të filluar qeverisjen demokratike me përfaqësim në Irak," tha zoti Straw.

Planet për sulme të tilla ishin përshkruar në një letër që u kap këtë vit dhe gjykohet se ishte shkruar nga Abu Musab al-Zarkaui, një terrorist jordanez që ka lidhje me al-Kaidën. Në letër thuhej se rruga e vetme e terroristëve për të penguar irakianët në rrugën e tyre drejt një shoqërie demokratike do të ishte nxitja e një lufte sektare ndërmjet myslimanëve shiitë dhe suni.

Por këto përpjekje nuk do të kenë sukses. Adnan Pachachi, anëtar i Këshillit Qeverisës të Irakut, thotë se irakianët “nuk do t’i lejojnë armiqtë e Irakut të dobësojnë vendin e tyre.”

“Ne kemi miratuar njëzëri një instrument, ligjin për administrimin e shtetit irakian gjatë periudhës kalimtare, në të cilin përfshihet ndër të tjera, një kartë e të drejtave të njeriut, diçka e paparë dhe e pashëmbullt në këtë pjesë të botës,” tha zoti Pachachi.

Kushtetuta e përkohshme ofron kornizën për një Irak demokratik, duke sanksionuar mbrojtje për lirinë e fjalës, lirinë e besimit dhe të drejta të tjera. Në dokument theksohet gjithashtu se do të mbrohen të drejtat e grave dhe të të gjitha grupeve etnike në Irak.

Pavarësisht nga sulmet terroriste të armiqve të Irakut, tha Dan Senor i Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit, “procesi i kalimit të sovranitetit në duart e popullit irakian... nuk do të vonohet.” //ad//

XS
SM
MD
LG