Lidhje

Presidenti gjeorgjian takon Presidentin Bush - 2004-03-04


Presidenti i zgjedhur në rrugë demokratike i Gjeorgjisë, Mikhail Saakashvili, u takua ditët e fundit me presidentin Bush në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti amerikan e përshëndeti revolucionin pa dhunë, që çoi në dorëheqjen e ish presidentit gjeorgjian, Eduard Shevarnaxe në nëntorin e 2003-shit.

”Gjeorgjia e realizoi kalimin drejt një qeverie të re në një mënyrë frymëzuese. Me presidentin gjeorgjian biseduam për ndikimin e revolucionit të trendafiltë edhe në vende të tjera të botës. Mundësia që njerëzit të marrin në kontroll jetën e tyre dhe transformimi i shoqërisë në rrugë paqësore, është një shembull i fuqishëm për njerëzit kudo në botë, të cilët dëshirojnë liri dhe një qeveri të ndershme.”

Presidenti Saakashvili e falenderoi Presidentin Bush për përkrahjen e tij gjatë revolucionit paqësor. Ai tha se Shtete e Bashkuara na ndihmuan kur kishim më shumë nevojë. Popujt e tjerë në Evropë nuk duhet ta harrojnë këtë, theksoi ai. Zoti Saakashvili tha se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara nuk ka të bëjë vetëm me sigurinë dhe ekonominë, por në radhë të parë me vlerat e përbashkëta. Gjeorgjia, tha Presidenti Saakashvili, ka forcat e veta në Irak dhe ka nderin të jetë anëtare e koalicionit kundër terrorizmit.

Që nga fitorja në zgjedhjet e muajit janar, Presidenti Saakashvili ka premtuar se do të kontribuojë për begatinë dhe demokracinë në Gjeorgji. Por presidenti i ri përballet me sfida të shumta. Thesari i vendit është boshatisur, kryeqyteti është mbushur me turma refugjatësh, pagat ka muaj që nuk janë dhënë dhe korrupsioni mbizotëron kudo. Presidenti Bush i bëri thirrje zotit Saakashvili që ta vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe të punojë për një sistem të bazuar në integritetin dhe të drejtat e njeriut.

Zoti Saakashvili ndër të tjera tha se do të punonte për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë. Presidenti Bush tha se priste që Rusia të mbante premtimin e saj të vitit 1999, për të tërhequr trupat dhe pajisjet ushtarake nga Gjeorgjia.

Presidenti Saakashvili tha se ndërtimi i demokracisë dhe i tregtisë së lirë është një nga përparësitë e tij kryesore. Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera do ta ndihmojnë Gjeorgjinë në këtë rrugë, por suksesi do të varet nga vetë populli i Gjeorgjisë. ***kh***

XS
SM
MD
LG