Lidhje

Shqipëri: Kushte shumë të këqia në qendrat e paraburgimit - 2004-03-03


Në Shqipëri gjendja e sistemit të paraburgimit mbetet problematike. Një raport i publikuar të mërkurën nga zyra e OSBE-së në Tiranë, konstaton se në dhomat e paraburgimit pranë komisariateve të policisë ka një mbipopullim, mungesa të kushteve më elementare të jetesës si dhe probleme në trajtimin e grave dhe të miturve.

Hartimi i raportit mbi gjendjen e sistemit të paraburgimit në Shqipëri është realizuar, pasi vëzhgues të kësaj organizate vizituan gjatë periudhës korrik gusht 2003 të 25 qendrat që ndodhen pranë komisariateve të policisë në të gjithë vendin.

Një përshkrim gati dëshpërues shoqëron gjithë materialin e detajuar. Megjithë përpjekjet për të rindërtuar qendrat e paraburgimit, kushtet në to janë shumë të këqija, shkruhet në raportin e OSBE-së. Ambientet janë të paajrosura dhe vjen erë shumë e keqe.

Dhomat janë shumë të vogla dhe në disa komisariate, personave që ndodheshin në to u duhej të flinin në brinjë për t’i bërë vend njëri-tjetrit. Madje në Përmet një dhomë ishte më e vogël se 1 metër katror sipërfaqe.

Ato nuk kanë mobilim por vetëm dyshekë e batanije të shtrira në tokë. Mjaft të këqija janë konstatuar kushtet e u shqimit, ato higjienike në dhomë, kushtet e tualeteve apo dusheve që në pojesën më të madhe përfaqësojnë vetëm një tub nga rrjedh uji.

Problemi më i madh i vënë re nga vëzhguesit e OSBE-së mbetet mbipopullimi. Ndonëse kapaciteti i përgjithshëm është prej 825 personash, në vitin 2003 numri i raportuar nga policia ka qenë 1416.

Në këto ambiente vazhdojnë të mbahen dhe të dënuar me vendim të formës së prerë të cilat sipas rregullit duhet të transferohen në burgje. Kjo gjendje ka bërë që policia ta ketë të pamundur të ndaj fëmijët nga të rriturit ose të dënuarit nga ata që nuk janë dënuar ende. Ka patur raste të fëmijëve që qëndronin në të njëjtin ambient me persona të akuzuar për vrasje.

Të paraburgosurit sipas raportit të OSBE-së kanë mungesë totale të mundësisë për të kaluar kohën e lirë dhe kanë kohë ajrimi të pamjaftueshme, e cila shpesh për arsye sigurie kufizohet nga vetë policët. Ndërsa mundësia e kryerjes së ushtrimeve fizike duket si një luks i tepërt në gjithë këtë panoramë të zymtë të sistmetit të paraburgimit.

Raporti i OSBE-së shoqërohet me një sërë rekomandimesh, ku theksi vihet në transferimin sa më të shpejtë të kompetencave nga policia të ministria e Drejtësisë siç është parashikuar nga një vendim i posacëm i qeverisë.

Ky proces që duhet të kishte nisur që vitin e shkuar ka mbetur pezull për shkak të mosmarrëveshjeve mes institucioneve shqiptare. Për këtë arsye rekomandohet rishikimi i vendimit të qeverisë në mënyrë që të reflektojë situatën dhe nevbojat e sistemit të paraburgimit, burimet njerëzore si dhe gjeografinë e vendit.

Vërjejtje serioze për kushtet e burgjeve dhe qendrave të ndalimit u bënë të njohura pak ditë më parë edhe në raportin e departamentit amerikan të shtetit për gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri.//kk//

XS
SM
MD
LG