Lidhje

Presidenti Moisiu: E ardhmja e Shqipërisë nuk është peng i së shkuarës - 2004-02-29


Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu u bëri të dielën thirrje partive politike që të mos e shohin të ardhmen e vendit si një peng i së kaluarës. Zoti Moisiu shprehu keqardhjen në një deklaratë të publikuar nga zëdhënësi për atë që ai e quan “mungesë të kulturës ligjore dhe politike”, gjatë debateve mbi dekorimet e dy oficerëve të Shërbimit Sekret.

Presidenti Moisiu deklaroi se dekorimet e dy oficerëve të SHIK-ut të vrarë në krye të detyrës në vitin 1997 i kishte kryer jo vetëm si një akt kushtetues, por edhe si një shenjë nderimi, pajtimi dhe qytetarie.

Presidenti, theksohet në deklaratë, shprehu në këtë rast vlerësimin për institucionet dhe mirënjohjen e shtetit ndaj punonjësit e tij të rënë në krye të detyrës. Zoti Moisiu theksoi bindjen e tij se “politikanët duhet të kuptojnë përfundimisht se shteti është i paprekshëm”, ndërsa pushteti është i përkohshëm.

“Shoqëria shqiptare, veçohet në deklaratë, do të shohë nga e ardhmja dhe do të punojë për të vetëm duke respektuar ligjin, duke u shërbyer qytetarëve dhe duke mos i përsëritur gabimet e së kaluarës”.

Ai u bëri thirrje partive politike që të ngrenë më lart kulturën ligjore dhe moralin politik ndaj institucioneve demokratike.

Presidenti Moisiu ka dekoruar me një medalje të lartë nderimi, dy oficerë të Shërbimit Informativ që humbën jetën gjatë trazirave të dhunshme në vitin 1997 në qytetin e Vlorës. Sulmi ndaj zyrave të SHIK-ut në Vlorë prej turmave të armatosura ishte një nga ngjarjet më të rënda në zhvillimet e atij viti.

Akti i presidentit Moisiu ngjalli debate dhe komente të kundërta sidomos nga disa politikanë të majtë, të cilët ngjarjet e ’97 i mbajnë prej shumë vitesh në qendër të fjalimeve të tyre sa herë që përpiqen të akuzojnë Partinë Demokratike, atëherë në pushtet.//kk//

XS
SM
MD
LG