Në Shtetet e Bashkuara, Senatori John Kerry fitoi konferencat zgjedhore të Partisë Demokrate në shtetin Main, duke e shtuar edhe më shumë avantazhin në garën për emrimin si kandidat i partisë për president.
Agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi se senatori nga Masachusets pasoi fitoret e së shtunës në shtetet Michigan dhe Washington, duke fituar 25 prej 56 delegatëve të shtetit. Në vend të dytë doli ish guvernatori i Vermontit, Howard Dean, duke fituar 18 delegatë.
Zoti Kerry ka fituar 10 nga 12 zgjedhjet paraprake dhe konferencat zgjedhore të zhvilluara deri tani. Anketat më të fundit të opinionit publik tregojnë se zoti Kerry paraqitet mirë edhe në zgjedhjet e nesërme paraprake në shtetet jugore Virgjinia e Tenesi.
Megjithatë, kandidatët demokratë për president, të cilët konkurojnë me senatorin Kerry këmbëngulin se gara për emërimin e partisë së tyre vazhdon. Senatori i Karolinës së Veriut, John Edwards, dhe ish guvernatori i Vermontit, Howard Dean, morën pjesë në emisione të ndryshme radio-televizive, një ditë pasi senatori Kerry fitoi 2 gara të rëndësishme, mbledhjet partiake në shtetet Michigan dhe Washington.
Për John Kerrin, situata vazhdon të përmirësohet në përpjekjet e tij për të siguruar emërimin e Partisë Demokrate për në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Dy shtetet ku ai nuk fitoi ishin Karolina e Jugut dhe Oklahoma, të dyja në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara. Por edhe jugu amerikan mund të tregohet më i ngrohtë ndaj zotit Kerry gjatë ditëve të ardhshme. Anketat e opinionit publik tregojnë se senatori nga shteti Masachusets gëzon mbështetje të mirë në zgjedhjet paraprake, që do të zhvillohen nesër në Virxhinia dhe në Tenesi.
Fitorja e zotit Kerry në njërin ose të dy këto shtete do të ishte një lajm i hidhur për senatorin e Karolinës së Veriut, John Edwards, i cili shpreson të përfitojë nga prejardhja e tij nga jugu për të fituar një numër të konsiderueshëm të 2 mijë e 162 delegatëve të nevojshëm për të fituar emërimin e Partisë Demokrate për në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Duke folur në një program të rrjetit televiziv FOX NEWS, zoti Edwards tha se nuk ka frikë nga ajo që duket si një hov në rritje për senatorin Kerry.
“Të martën zhvillohen zgjedhjet paraprake në Tenesi dhe Virxhinia dhe më pas shkojmë në Wiskonsin. Në fakt, unë mendoj se rreth 75 përqind e delegatëve do të zgjidhen pas garës në Wiskonsin. Ky është një proces i gjatë dhe unë do ta vazhdoj fushatën për një kohë të gjatë.”
Të shtunën, senatori Edwards zuri vendin e tretë në Michigan dhe vendin e katërt në shtetin e Washingtonit.
Edhe konkurenti tjetër, ish guvernatori i shtetit Vermont, Howard Dean, është optimist, megjithëse deri tani ai nuk ka fituar as edhe një prej zgjedhjeve paraprake. Duke folur në rrjetin televiziv CBS, zoti Dean tha se fakti që ai zuri vendin e dytë në mbledhjet partiake në shtetet Michigan dhe Washington tregon se fushata e tij po e rimer veten.
“Vendi i dytë që zura në 2 gara më vë në pozitë më të fortë se në çdo garë që prej shtetit New Hampshire. Ne po fillojmë ta intensifikojmë fushatën përsëri. Ndërkohë që janë zgjedhur vetëm 15 përqind e delegatëve, nuk jam i sigurtë në se demokratët me të vërtetë duan të zgjedhin një kandidat që nuk e njohin mirë.”
Deri të shtunën, John Kerry ishte në krye të kandidatëve demokratë për president me 409 delegatë, më shumë se dyfishi i rivalit të tij më të fortë, Howard Dean, i cili kishte 174 delegatë.
Kandidati që do të sigurojë emërimin e partisë demokrate do të ketë përballë presidentin George W. Bush në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
//ze//