Senatori nga shteti Masaçusetsit, zoti John Kerry ka fituar në zgjedhjet e së shtunës në shtetet Miçigan dhe Washington duke e rritur përparësinë e tij në garën për emërimin e partisë demokrate në zgjedhjet presidenciale.
Zyrtarët demokratë në Michigan thanë se zoti Kerry fitoi gati 50 përqind të votave, i pasuar nga ish guvernatori i Vermontit, Howard Dean me 17 përqind.
Senatori John Edwards zuri vendin e tretë me 13 përqind. Zoti Kerry fitoi edhe në shtetin Washington.
Kryetari i Partisë Demokrate të Michiganit shpalli fituesin e votimeve të djeshme.
“Fitues në garën e partisë demokrate në shtetin e Michiganit është senatori John Kerry, nga shteti Masaçusets.”
Senatori John Kerry fitoi rreth 50 përqind të votave në Miçigan, duke e lënë shumë prapa ish guvernatorin Howard Dean i cili fitoi vetëm 17 përqind të votave.
Zoti Kerry fitoi gjithashtu më shumë se 50 përqind të votave në shtetin e Washingtonit. Zoti Dean edhe në këtë shtet doli i dyti me 31 përqind të votave.
Këto dy fitore e çojnë në 11 numrin e fitoreve të zotit Kerry në zgjedhjet paraprake të mbajtura deri tani. Ai u bë kandidati kryesor pasi fitoi në shtetet e Iowes dhe New Hampshirit.
Fushata e zotit Dean pësoi një goditje të rëndë kur një sindikatë e rëndësishme tërhoqi përkrahjen e saj.