Lidhje

Miliona vdesin në vendet e botës së tretë nga sëmundje të kurueshme - 2004-02-07


Qindra ekspertë në fushën e shëndetësisë nga mbi 20 vende u mblodhën në Malajzi në përpjekje për të tërhequr vëmendjen ndaj studimeve të pamjaftueshme për trajtimin e sëmundjeve në vendet e botës së tretë. Delegatët shprehën shqetësimin se miliona njerëz vdesin çdo vit nga sëmundje që shkenca moderne mund t’i kurojë.

Delegatët bëjnë pjesë në organizatën e Sëmundjeve të Mospërfillura dhe thonë se qeveritë e studiuesit duhet t’i kushtojnë më shumë burime gjetjes së mjekimit për sëmundjet e rëndomta në vendet në zhvillim.

Këto sëmundje shkaktojnë vdekjen e miliona njerëzve çdo vit. Ndër to janë malaria, tuberkulozi, meningjiti, sëmundja e gjumit apo leishmanioza.

Drejtori i Nismës për Barnat e Sëmundjeve të Mospërfillura, doktor Bernard Pecoul, thotë se gjatë 25 vjetëve të fundit, janë zbuluar dhe prodhuar më shumë se një mijë e 200 barna të reja, por vetëm 16 janë për luftimin e tuberkulozit dhe të sëmundjeve tropikale. Ai thotë se nga rreth 60 miliardë dollarë që shpenzohen çdo vit në kërkime dhe gjetjen e barnave të reja, më pak se 1 për qind shpenzohen për këto sëmundje.

“Ekziston një hendek i madh ndërmjet përparimit që shkenca ka qenë në gjendje të bëjë gjatë dy dekadave të fundit dhe shfrytëzimit të zbulimeve për përmirësimin e jetës së njeriut”.

Një nga organizuesit e konferencës është shoqata Mjekët pa Kufij. Drejtuesja e fushatës së kësaj organizate që pacientët në vendet e pazhvilluara të kenë mundësi për ilaçe, Ellen t’Hoen, thotë se përzgjedhjet në kërkime për barna të caktura bëhen gjithnjë e më tepër nga korpoarata të mëdha shumëkombëshe.

“Dhe si rezultat, barna të reja që zbulohen, investimet që po bëhen në kërkimet në fushën e shëndetit, gjithnjë e më tepër po bëhen në drejtim të përfitmeve më të mëdha nga ana e kompanive dhe jo me domosdo në përputhje me nevojat e shëndetësisë”.

Kështu, thotë ajo, po dalin barna të reja për sëmundje të tilla si kanceri, diabeti, azma dhe tensioni i gjakut, të cilat prekin kryesisht njerëzit në botën e zhvilluar. Kjo është pozitive, thotë ajo, por shumë përpjekje po bëhen për zhvillimin e barnave për aspekte më pak kërcënues për jetën, si rënia e flokëve apo impotenca.

Doktor Pecoul thotë se kjo mungesë vëmendjeje është shkak jo vetëm i mosfunksionimit normal të tregut, por edhe i dështimit të politikave publike.

“Zakonisht, kur një treg nuk funksionon si duhet, kërkohen investime nga sektori publik për të kompensuar njerëzit më të prekur, më të mospërfillur. Por nuk është vepruar kështu”.

Zonja Hoen thotë se duhen zgjidhur dy probleme themelore. I pari është sesi të caktohen përparësi më të sakta për kërkimet në fushën e shëndetësisë.

“Çështja e dytë lidhet me mënyrën e gjetjes së rrugëve për financimin e kërkimeve dhe të zhvillimit të barnave”.

Doktor Pecoul thotë se edhe sektori privat duhet të nxitet që të thotë fjalën e tij, sepse, pa të, përparimet do të janë të ngadalta.

“Këta partnerë privatë kanë shumë molekula, shumë prodhime në arsenalet e tyre, që nuk po i përdorin aspak. Kështu që ne do të përpiqemi që këto prodhime të përfshihen në proceset kërkimore”.

Delegatët thonë se ka shumë shpërdorim në sistem dhe se ka shumë rrugë të tjera më pak të kushtueshme për zhvillimin e barnave të reja.

Përveç kësaj, ata duan që vendet në zhvillim të marrin pjesë në mënyrë më aktive në këtë proces. Megjithëse ato mund të mos i kenë burimet për prodhimin e barnave të fuqishme, ato mund të kontribuojnë me ide për përmirësimin e shëndentit të banorëve të tyre dhe të zhvillojnë modele të reja për arritjen e këtij objektivi.//kk//

XS
SM
MD
LG