Lidhje

Shtëpia e Bardhë: Fushatë reklamash kundër drogës - 2004-02-01


Shtëpia e Bardhë ka filluar një fushatë reklamash që u drejtohet prindërve dhe të rinjve, me shpresën se do të ndihmojë në luftën kundër përdorimit të drogës. Buxheti i kësaj fushate është 145 milionë dollarë.

Një nga pesë reklamat kundër përdorimit të alkolit dhe drogës tregon një të ri buzë një liqeni dhe shikon një shokun e tij tek mbytet.

“Nëse shoku juaj do të ishte në rrezik ju do ta ndihmonit atë apo jo?”.

Një tjetër reklamë 30 sekondshe, bërë falas nga një agjenci në New York, tregon një të re të droguar, e cila fillon të kujtojë kohën kur e jëma mund ta kishte ndihmuar duke folur me të për rrezikun e drogave. Reklamat për herë të parë do të jepen gjatë ndeshjes finale të futbollit amerikan, ndeshja më e parë në Shtetet e Bashkuara, nga më shumë se 80 milion shikues.

Drejtori i Zyrës Kombëtare Kundër Drogës në Shtëpinë e Bardhë, John Walters, thotë se ndeshja e futbollit është koha më e mirë për fillimin e fushatës, pasi prindërit dhe fëmijët e kanë zakon ta shikojnë ndeshjen së bashku.

“Duke vepruar herët, prindërit, të rinjtë dhe komuniteti, mund të ndalojnë një adolishent të përdorë drogë dhe të ndihmojë të rinjtë të shmangin pasojat që mund t’u rrezikojnë të ardhmen”, thotë zoti Walters.

Megjithëse një studim e shikon me dyshim efektivitetin e reklamave shtetërore kundër drogës, zoti Waleters shpreh besim se reklamat televizive, do ta ndihmojnë qeverinë në synimin saj për ta zvogëluar përdorimin e drogës nga të rinjtë në masën 10 përqind në dy vite.

Zyra e Shtëpisë së Bardhë kundër drogës thotë se më shumë se dy milion të rinjë mund të diagnostikohen për përdorim droge apo abuzim me alkoolin, megjithë njoftimet për një rënie prej 11 përqindsh në dy vitet e fundit.

Gjithashtu edhe drejtuesit e një organizate jo fitimprurëse kundër drogës thonë se pas një studimi të zgjeruar, kanë vendosur të zhvillojnë një betejë të ngjashme.

Një studente dhe aktiviste kundër drogës, Rachi Govil, tregon përmes reklamës se si ajo, u mundua të ndihmonte një shok që ishte përzier me një grup moshatarët që merrnin drogë dhe abuzonin me alkool.

“Unë jam këtu t’ju tregoj historinë time...dhe t’u them të gjithë të rinjve të cilët kanë ndonjë shok të tyren që merr drogë, se ndërhyrja juaj, kurajoja dhe guximi mund të shpëtojë jetën e dikujt, ju mund të ndihmoni shokët tuaj të largohen nga ky ves, sepse unë e bëra këtë”.

Stacionet televizive ua ulin çmimin në 50 përqind të gjitha reklamave publike. Shfaqja e një reklame 30 sekondshe gjatë ndeshjes finale të futbollit kushton 2, 3 milion dollarë. Kjo fushatë reklamash është jë nismë më vete dhe nuk ka të bëjë me nismën tjetër të presidentit Bush të shpallur para një jave gjatë fjalimit në Kongres, për rritjen e analizave mjeksore kundër drogës në shkolla. //kk//

XS
SM
MD
LG