Presidenti i Polonisë Aleksandër Kvashnjevski erdhi në Uashington më 27 janar. Ai ishte udhëheqësi i parë i huaj që viziton Shtëpinë e Bardhë këtë vit dhe Presidenti Bush e priti atë si mik:
Kam patur mundësinë ta njoh atë mirë gjatë viteve. Ai është udhëheqës. Ai po le gjurmën e tij në kontinentin e Evropës përmes rolit të tij udhëheqës, tha presidenti Bush.
Por presidenti polak nuk erdhi në Uashyington thjesht për marrë sigurime miqësie. Një ndër qëllimet e rëndësishme të vizitës së tij ishte të siguronte një rritje të madhe të ndihmës ushtarake amerikane, kontrata për rindërtimin në Irak dhe udhëtimin pa viza për shtetasit polakë në Shtetet e Bashkuara. Ajo që arriti ai me këtë vizitë ishte më pak se sa shpresonin polakët. Amerikanët premtuan 66 milion dollarë ndihmë të drejtpërdrejtë ushtarake në vend të 300 milion dollarëve që shpresonte presidenti polak. Pala amerikane e bëri gjithashtu të qartë se kërkesa për udhëtime pa viza në Shtetet e Bashkuara nuk është realiste, megjithëse procedurat e marrjes së vizës mund të lehtësohen.
Kjo nuk mjafton, thotë shtypi polak, i cili ve në dukje se Polonia ka në Irak 2 mijë e 500 ushtarë, komandon atje një divizion shumëkombësh dhe përveç kësaj, pozita e saj proamerikane i ka shkaktuar probleme me Bashkimin Evropian. Të njëjat zëra pakënaqësie mund të dëgjohen edhe nga vendet e tjera të Evropës Lindore.
Por disa analistë në Uashington i shikojnë si të pabaza ankesa të tilla. Profesor Daniel Hamilton, drejtor i Qendrës për Marrëdhëniet Ndëratlantike në Universitetin Johns Hopkins, thotë se aleanca strategjike me Shtetet e Bashkuara nuk duhet të lidhet me çështje të tilla si vizat apo marrëdhëniet e preferuara tregtare.
Të thuash të drejtën, kjo tingëllon si diçka meskine. Gjatë 50 vjetëve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë bërë shumë për këto vende. Ato kanë udhëhequr përpjekjet për zgjerimin e Natos pas Luftës së Ftohtë. Senati amerikan ka shprehur angazhimin më solemn se mund të shprehë çdo vend për një tjetër, duke deklaruar se do t’u vijë atyre në ndihmë në rast të një sulmi
Bruce Jackson, president i Projektit për Demokracitë në Tranzicion, shton se, natyrisht kur qeveria polake vendosi ta mbështesë Amerikën, ajo nuk e bëri këtë duke patur parasysh përfitimet afatshkurtëra.
Polonia e bëri këtë sepse ajo besonte se ndante të njëjtat vlera me Shtetet e Bashkuara. Aluzionet se asaj mund t’i jenë bërë fshehtas favore për të mbështetur administratën amerikane apo për të mos përfillur evropianët, më duket se nuk qendrojnë, thotë zoti Jackson.
Këshilltari i Sigurimit Kombëtar të Polonisë Marek Siwiec, i cili erdhi në Uashington përpara vizitës së presidentit Kvashnjevski, thotë se ky është pikërisht edhe qendrimi i qeverisë polake. Por ai shton se fjalët e lavdërimit dhe të falenderimit që thonë udhëheqësit evropianë në adresë të Polonisë dhe të Evropës së Re, ngjallën në rajon shpresa shumë të mëdha. Tani, thotë zoti Siwiec, shumë njerëz pyesin nëse këto fjalë kanë ndonjë kuptim real.
Amerikanët janë të përsosur për deklarata spektakolare. Por është shumë më e vështirë t’i shoqërosh ato me vepra. Unë besoj se për një diskutim të tillë, ne kemi partnerë këtu në Uashington. Mendoj gjithashtu se marrëdhëniet polako-amerikane, duke patur parasysh ngjarjet në Irak, janë një provë e mirë për të parë se si do t’i trajtojë Uashingtoni marrëdhëniet evropiano-amerikane në të ardhmen, thotë zoti Siwiec.
Tani për tani, duket se vendet e Evropës së Re, aq të lavdëruar nga Uashingtoni, kërkojnë t’u kushtohet vemendje dhe të trajtohen si partnere serioze.
Analistët mendojnë se në të ardhmen e afërt, vendet e Evropës Lindore nuk do të kalojnë në drejtimin anti-amerikan. Por në skenë po del një brez i ri evropiano-lindorësh. Ky është një brez që nuk e mban mend Luftën e Ftohtë dhe është më pak i prirur për ta idealizuar Amerikën. Epoka e mbështetjes thuajse pa kushte për Amerikën nga ana e vendeve ish komuniste ndoshta po mbaron. Analistët thonë se ky është një tipar tjetër i Evropës së re të bashkuar, i cili mund të krijojë vështirësi për Amerikën.//ic//