Presidenti Bush e siguroi kryeministrin e Turqisë Rexhep Taip Erdohan se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që Iraku të qendrojë i paprekur si territor, megjithë kërkesat e kurdëve për më shumë autonomi.
Dy udhëheqësit u takuan të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar mbi Irakun, Qipron dhe çështje të tjera. Presidenti Bush tha se po e priste zotin Erdohan si mik dhe vuri në dukje se Turqia dhe Amerika e kuptojnë rëndësinë e luftës kundër terrorizmit.
Zoti Erdohan ka thënë se Turqia është e shqetësuar nga thirrjet e kurdëve irakianë për më shumë autonomi. Kryeministri turk u shpreh pas takimit me Presidentin Bush se Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë pikpamje të ngjashme lidhur me atë që ai e quajti ”partneritet strategjik” për rindërtimin e Irakut.
Presidenti Bush i tha kryeministrit turk Erdohan se në debatin e tanishëm rreth të ardhmes së vetë-qeverisjes së Irakut, Washingtoni nuk mbështet krijimin e një shteti të veçantë kurd.
“E sigurova kryeministrin turk se synimi i Shteteve të Bashkuara është krijimi i një Iraku paqësor e demokratik, territori i të cilit të qëndrojë i paprekur.”
Shtëpia e Bardhë thotë se çdo vendim lidhur me zonat kurde duhet të merret nga irakianët sapo autoritetet amerikane t’ia kalojnë kontrollin qeverisë së atij vendi, hap ky që është në plan të ndërmeret më 1 korrik.
Kurdët e Irakut kanë kontrolluar pjesën më të madhe të veriut të pasur me naftë që prej luftës së Gjirit Persik më 1991 dhe mund ta shfrytëzojnë ndryshimin e qeverisë irakiane për të kërkuar vetë-qeverisje më të madhe. Një gjë e tillë ka shkaktuar shqetësime në Turqi, vend ky që luftoi kundër kryengritësve kurdë për 15 vjet deri më 1999.
//ze//