Delegatë nga mbi 50 vende dhe shumë organizata ndërkombëtare e rajonale u takuan në Jemen për diskutime rreth shpresave për demokraci në Lindjen e Mesme. Konferenca u organizua nga Jemeni në bashkëpunim me Kanadanë, Zvicrën, Bashkimin Evropian dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim.
Konferenca u mbajt pas një raporti të organizatës botërore, në të cilin thuhet se Lindja e Mesme vazhdon të jetë e pllakosur nga regjime autoritare, censurimi dhe shtrypja e grave, shkelje të cilat u vunë në dukje edhe gjatë konferencës. Në deklaratën e tyre përfundimtare, delegatët thanë se të drejtat e njeriut dhe respektimi i shtetit ligjor janë në pajtim të plotë me të gjitha besimet dhe kulturat dhe duhet të përforcojnë çdo nocion kuptimplotë të demokracisë.
Presidenti i Jemenit, Ali Abdullah Saleh, tha se demokracia është rruga e përzgjdhur e epokës moderne për të gjithë popujt e botës dhe anija shpëtimtare për regjimet politike. Presidenti Bush thotë se popujve të Lindjes së Mesme nuk duhet t’u mohohet mundësia për të fituar lirinë. “A janë miliona burra, gra dhe fëmijë të dënuar nga historia ose kultura që të jetojnë në despoitizëm? A janë ata të vetmit që nuk do të njohin kurrë lirinë dhe nuk do të kenë kurrë të drejtën të ngrenë zërin e tyre për këtë çështje? Unë personalisht, tha Presidenti Bush, nuk e besoj një gjë të tillë. Unë besoj, theksoi ai, se çdo person ka aftësinë dhe të drejtën të jetë i lirë.”
Në një mesazh që u dërgoi pjesëmarrësve në konferencë, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, thotë se demokracia i përket popullit. Ajo nuk mund të imponohet nga jashtë. Edhe Shtetet e Bashkuara e ushqejnë këtë pikëpamje, siç e ka bërë të qartë Presidenti Bush:
“Qeveritë përfaqësuese në Lindjen e Mesme do të pasqyrojnë kulturën e tyre. Ato nuk duhet të kopjojnë dhe nuk do të kopjojnë modelin tonë. Vendet demokratike mund të jenë monarki kushtetuese, republika federale apo sisteme parlamentare. Dhe demokracitë që funksionojnë kërkojnë gjithmonë kohë për t’u zhvilluar, ashtu siç ka ndodhur edhe me demokracinë tonë”, theksoi Presidenti Bush.
Si kudo tjetër në botë, qeveritë në Lindjen e Mesme mund ta zgjerojnë lirinë dhe të forcojnë institucionet demokratike. “Njerëzit e mirë dhe të aftë, ka thënë Presidenti Bush, meritojnë të jenë qytetarë aktivë.”//xh//