Lidhje

Anët e errëta të modifikimit gjenetik të bimëva dhe kafshëve - 2004-01-25


Një prej argumentave të përdorur kundër manipulimit gjenetik të bimëve dhe kafshëve është fakti se materiali gjenetik i përpunuar dhe i injektuar në një organizëm mund të dalë jashtë kontrollit e të ndërveprojë me speciet në natyrë duke transmetuar tek ato tipare të padëshërueshme e madje shkatërrimtare.

Por mbrojtësit e modifikimit gjenetik kundërpërgjigjen duke thënë se bimë e kafshët të tilla përbëjnë pak rrezik për mjedisin dhe, nëse është e domosdoshme, ato mund të izolohen nga llojet e egra të gjallesave. Sipas një raporti të ri, izolimi total i organizmave të ndryshuar gjenetikisht, jo vetëm që është i vështirë, por ka gjasa të jetë i pamundur. Një studim i Akademisë Kombëtare të Shkencave në Shtetet e Bashkuara zbulon se, edhe pse izolimi nuk është i nevojshëm në shumicën e rasteve, zhvilluesit e organizameve trans-gjenetike duhet të shqyrtojnë rastet më të këqija.

Një numër në rritje i organizmave të modifikuar gjenetikisht po shkojnë drejt tregut. Lloje peshqish janë krijuar gjenetikish për t’u rritur tepër shpejt. Lloje mushkonjash janë ndryshuar për të eleminuar aftësinë e transmetimit të bacilit të malaries dhe drithëra e prodhime të tjera bujqësore janë modifikuar në mënyrë që t’iu rezistojnë herbicideve dhe sëmundjeve.

Deri tani, shumica e përpjekjeve për izolimin e organizmeve trans-gjenetike janë bërë në aspektin fizik, si për shembull, në rastin e rritjes së bimëve në një serë apo rritjen e peshqve në rezervuarë të izoluar.

Studimi i Akademisë Kombëtare e Shkencave u kushton vëmendje të posaçme peshqve, midhjeve, pemëve, barishteve dhe mikrobeve transgjenetike, shumica e të cilave janë modifikuar me sukses, por që nxjerrja në treg e të cilave nuk është miratuar ende.

Studimi rekomandon disa metoda izolimi biologjik për parandalimin e përhapjes së tipareve të padëshirueshme. Disa nga këto rekomandime janë kultivimi i sterilitetit tek peshqit apo bimët e modifikuara, sterilizmi i insekteve përmes rrezatimit apo nxitjes së veprimtarisë së gjeneve vetëshkatërruese tek mikrobet apo myqet.

Anne Kapuschinski, profesoreshë në departamentin e Peshkimit, Botës së Gjallë dhe të Biologjisë Ruajtëse në Universitetin e Minesotës dhe bashkautore e raportit, paralajmëron se sejcila nga këto metoda duhet t’u përshtatet me shumë kujdes organizmave që i nënshtrohen izolimit. ”Kemi arritur përfundimin se duke shqyrtuar sejcilin prej rasteve mbi nevojën e izlomit, duhen marrë në konsideratë karakteristikat e sejcilës specie, trajtat e veçanta që janë modifikuar. Pastaj duhet shqyrtuar mjedisi ku do të prodhohen ato dhe mjedisi në të cilin mund të arratisen”.

Studimi zbulon gjithashtu se asnjë metodë izolimi e përdorur më vete nuk ka gjasë të jetë 100 për qind e efektshme. Profesoresha rekomandon që agjencitë të përdorin një apo më shumë metoda për të pakësuar mundësinë e dështimit. Ajo thekson se ndërkohë që raporti është porositur nga Departamenti amerikan i Bujqësisë, vlera e tij ka rëndësi globale.

Komisionit që përpiloi raportin, nuk i është kërkuar të vlerësojë politikën aktuale të qeverisë, por në të rekomandohet se, që sistemet e integrauara të izolimit të funksionojnë plotësisht, kërkohen procedura të rrepta që lejojnë inspektime dhe marrjen e masave shtetërore. //az//

XS
SM
MD
LG