Në librin fantastiko-shkencor “Brave New World” botuar në vitin 1932 nga shkrimtari britanik Aldous Huxley, njerëzit pinë një tabletë të quajtur “soma” që i bën ata të kënaqur. Fëmijët lindin në laboratorë të caktuar nga embrione të krijuara me kujdes.
Po të zëvendësosh “somën” me një nga ilaçet e njohura që të ngrejnë humorin, si Prozac dhe po të shikosh përparimet në inxhinierinë gjenetike dhe në klonim, bëhet e qartë se jemi në prag të kthimit në realitet të fantazisë së librit “Brave New World”. Doktor Leon Kass është kryetar i Këshillit të Presidentit për Bioetikën. Ja ç’thotë ai:
“Epoka e bioteknologjisë filloi plot shpresa. Përparimet në gjenetikë, në zbulimin e barnave të reja dhe në mjekësinë rigjeneruese premtojnë kura për sëmundjet e frikshme dhe lehtësimin e vuajtjeve të tmerrshme. Përparimi në shkencën neurologjike dhe në psiko-farmakologji premtojnë kura më të mira për të sëmurët mendorë. Teknikat e riprodhimit me ndërhyrje nga jashtë u kanë dhënë shansin mbi një milion çifteve që nuk mund të riprodhojnë, pra që të kenë fëmijët e tyre”, thotë ai.
Por doktor Kass mendon se në të ardhmen bioteknologjia nuk do të përdoret për qëllime terapike. Ai mendon se shkenca do të bëhet në mënyrë të pashmangshme një mënyrë për arritjen e lumturisë dhe përsosmërisë tek njerëzit: jetë më e gjatë, trupa më të fortë, shpirtra më të lumtur, sukses më i lartë dhe fëmijë më të mirë. Megjithatë, Këshilli i Presidentit për Bioetikën paralajmëron se tjetërsimi dhe kontrolli mbi mendjen dhe trupin e njeriut mund të kenë një ndikim negativ tek liria njerëzore, dinjiteti, ndjenjat dhe integriteti moral.
Doktor Kass thotë se përpjekjet për të kontrolluar mendjen e njeriut përmes barnave që ngrenë humorin dhe stimulantëve janë të diskutueshme. Ai thotë se çelësi për arritjen e lumturisë nuk është përbërja kimike e trurit, por rrjeta e pasur e marrëdhënieve njerëzore.
Përfundimet e Këshillit të Presidentit për Bioetikën u diskutuan në një takim të organizuar nga Instituti Amerikan Enterprise. Një nga pjesëmarrësit në diskutim, profesor Peter Lawler i Kolegjit Berry beson se çdo përpjekje për të arritur lumuturinë mendore përmes mjeteve teknologjike dhe farmaceutike do të resultojë të pafrytshme dhe kundërproduktive.
“Të gjitha përpjekjet moderne ose teknologjike për të na bërë ta ndjejmë botën më shumë si shtëpinë tonë, na ka bërë të ndjehemi më shumë të pastrehë. Edhe në këtë rast nuk do të jetë ndryshe. Shumë shpejt mund të vijë dita që të na krijohet bindja se për t’u bërë të lumtur nuk ka rrugë tjetër përveç pirjes së një grushti tabletash. Kjo varësi e re dhe thelbësore nga manipulimi teknologjik do ta bëjë ekzistencën tonë më të kushtëzuar se asnjëherë më parë. Dhe nën lumturinë tonë sipërfaqësore, do të jetë një formë e re ankthi, një trishtim vërtet i madh. Vrapi ynë drejt lumturisë do të jetë më fanatik dhe më i kotë se kurrë”.
Anëtarët e Këshillit të Presidentit për Bioetikën theksojnë se qeveria amerikane nuk do ta përdorë teknologjinë për të imponuar vizionin e saj për një shoqëri të përkryer. Ata mendojnë se në vende të hapura me tregje të lira, përdorimi i lëndëve biologjike që ngrenë humorin do të jetë personal dhe vullnetar.
Megjithatë, ata paralajmërojnë se kultura e prirur nga tregu dhe konsumi mund të krijojë nxitjet e veta të fuqishme për të luftuar për një jetë më të mirë dhe të përmirësuar biologjikisht. Për këtë arsye në raport thuhet se shoqëritë e lira duhet të përpiqen të reflektojnë në atë që i jep jetës më shumë kuptim dhe të heqin dorë nga kënaqja e menjëhershme e çdo dëshire njerëzore. //kk//