Lidhje

Polonia dhe Rumania fillojnë negociatat rreth dislokimit të trupave amerikane në territoret e tyre - 2004-01-11


Zyrtarë polakë dhe rumunë thanë se janë gati për hapjen e bazave ushtarake amerikane në territoret e tyre dhe se negociata të tjera me Washingtonin pritet të fillojnë së shpejti.

Polonia, e cila u bë anëtare e NATO-s para 4 vjetësh, ka 2 mijë trupa në Irak si pjesë e koalicionit të mbizotëruar nga amerikanët dhe britanikët.

Ministri polak i mbrojtjes, Jerzi Smajdzinski tha se vendi i tij në përgjithësi është në favor të hapjes së bazave amerikane, megjithëse çështja se kush do të mbulojë koston e operacioneve nuk është diskutuar ende.

Buxheti i Polonisë është konsumuar si pasojë e marrëveshjeve të mbrojtjes prej miliarda dollarësh, që u arritën vitin e kaluar me Shtetet e Bashkuara, Finlandën dhe Izraelin për të reformuar ushtrinë polake të epokës sovjetike për ta ngritur atë në standartet e NATO-s.

Dislokimi i trupave amerikane do të jetë mes çështjeve që do të diskutohen nga presidenti polak Aleksandër Kvaznjevski kur ai të takohet me presidentin Bush në Washington këtë muaj.

Edhe Rumania, e cila do të anëtarësohet në NATO këtë vit, e ka bërë më se të qartë se do të mirëpriste ushtarët amerikanë. Kryeministri rumun, Adrian Nastase tha se amerikanët do të dislokohen në zona të mira strategjikisht për arsye të daljes së Rumanisë në detin e Zi dhe afërsinë e saj gjeografike me Lindjen e Mesme.

//ze//

XS
SM
MD
LG