Kleriku më i njohur shiit në Irak, Ajatollah Ali al-Sistani, hodhi përsëri poshtë planin e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për ngritjen e një qeverie të përkohshme pa zhvillimin e zgjedhjeve.
Ajatollah al-Sistani e shprehu kundërshtimin e tij të dielën në qytetin e shenjtë shiit Naxhaf, ku zyrtarë të Këshillit Qeverisës kishin shkuar për të bindur klerikun që ta mbështeste planin.
Plani parashikon mbajtjen e votimeve rajonale për një asamble të përkohshme irakiane deri më 1 qershor, e cila do të emëronte anëtarët e një qeverie të pëkohëshme që do të drejtonte vendin deri në zgjedhjet e vitit 2005.
Ajatollah al-Sistani shprehu së pari kundërshtimin ndaj këtij plani në muajin nëntor. Të dielën, ai tha se një qeverie e përkohshme, e emëruar nga një asamble e përkohëshme nuk mund ta përfaqësojë popullin irakian në mënyrë ideale, siç u shpreh ai.
Kleriku kërkon që asambleja e përkoshme të zgjidhet me vota të drejtpërdrejta në mënyrë që çdo marrëveshje për mbajtjen e trupave amerikane në Irak të arrihej përmes bisedimeve me zyrtarë të zgjedhur dhe jo me zyrtarë efektivisht të emëruar nga Washingtoni.
Nga ana e tyre, autoritetet e koalicionit kanë përjashtuar mundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të hershme kombëtare për shkak të gjendjes së paparashikueshme të sigurisë dhe se para se të zhvillohen zgjedhjet duhet të bëhet regjistrimi i popullsisë për të përcaktuar qytetarët me të drejtë vote.
Ndërkohë, qindra irakianë që kërkojnë vende pune, protestuan po të dielën në qytetin jugor Amara, ku të paktën 5 demonstrues u vranë dhe 11 të tjerë u plagosën të shtunën në përleshje me policinë irakiane dhe trupat britanike.//kk//