Lidhje

Kalendari Historik 9 janar - 2004-01-08


Më 9 janar 1861, zhurma e topave prishi qetësinë e agimit në gjirin e Charlestonit të Karolinës së Jugut. Bateritë e topave të milicisë së Karolinës së Jugut qëlluan kundër anijeve tregëtare amerikane që po përpiqeshin të shkarkonin furnizime për Fortesën Sumter në një port të ishullit. Fortesa ndodhej e rrethuar që nga 23 Nëntori i vitit 1860, kur Karolina e Jugut u shkëput nga Unioni për shkak të polemikave mbi skllavërinë. Qeveria e Karolinës së Jugut kërkonte që Shtetet e Bashkuara të hiqnin dorë nga e gjithë pasuria e tyre në këtë shtet dhe Fortesa Sumter ishte mbeturina e vetme e pranisë së shtetit federal. Kështu, Fortesa u bë simbol i konfrontimit ndërmjet Karolinës së Jugut dhe shtetit federal. Historiani James Smallwood thotë se anijet e furnizimeve të nisura drejt Fortesës e dinin se si duhej të vepronin kur u bënë objekt i zjarrit të artilerisë. Edhe pse anijet e furnizimit u kthyen mbrapsht, presidenti Abraham Lincoln i cili sapo kishte bërë betimin në mars 1861, vendosi që Fortesa të furnizohej me çdo kusht. Presidenti i urdhëroi anijet të transportonin ushqime, ujë dhe municion për ruajtësit e fortesës. Lufta Civile amerikane filloi në prill 1861 pasi Fortesa u qëllua nga forcat e Konfederatës. Lufta vazhdoi deri më 1865 dhe qeveria federale e Veriut fitoi ndaj shteteve rebele të Konfederatës së Jugut.

Më 9 janar 1913, në Yorba Linda të Kalifornisë lindi njëri prej presidentëve të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, Richard Nixon. Në vitin 1946, shteti i Kalifornisë e zgjodhi Nixonin për në Dhomën e Përfaqësuesve të kongresit amerikan dhe më 1950 në senat. Ai u zgjodh nënpresident në vitin 1952 dhe përsëri pas katër vjetësh, më 1956. Nixon vuri kandidaturë për president në vitin 1960 dhe humbi përballë demokratit John Kennedy. Më 1968, ai u rikthye në garën presidenciale dhe fitoi. Niksoni u rizgjodh president më 1972, por në gusht 1974 dha dorëheqjen pas skandalit të Watergate-it. Edhe më parë, presidenti Nixon ishte bërë objekt debatesh, i adhuruar dhe i kritikuar njëkohësisht për shkak të konservatorizmit dhe ndjenjës së tij të fortë antikomuniste. Ndoshta arritja më e madhe e presidentit Nixon ishte vizita e tij e vitit 1972 në Republikën Popullore të Kinës, e cila në atë kohë ishte e izoluar. Por shumë shpejt pas kësaj ndodhi skandali i Watergate-it, i cili zbuloi se disa ndihmës të Nixonit e ndoshta edhe vetë ai, kishin gisht në korrupsion politik. Pas dorëheqjes Richard Nixoni shkroi libra dhe u jepte këshilla jozyrtare presidentëve të tjerë. Ai vdiq më 22 prill 1994 nga hemoragjia cerebrale.

//rd//

XS
SM
MD
LG