Lidhje

Një gjeneral i republikës sërbe të Bosnjes u dënua me 20 vjet burgim - 2003-12-05


Gjykata e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës dënoi një gjeneral të republikës sërbe të Bosnjes me 20 vjet burgim pasi e gjeti atë fajtor për terrorizimin e popullsisë civile gjatë rrethimit të Sarajevës.

Gjykata arriti në përfundimin se gjatë rrethimit 3 vjeçar të kryeqytetit të Bosnjes, që filloi në vitin 1992, gjenerali Stanisllav Galiç u dha urdhër trupave të tij që të hapnin zjarr kundër civilëve dhe të bombardonin objekte publike. Mes këtyre bombardimeve ishte edhe sulmi më 1994 kundër një tregu të Sarajevës, ku gjetën vdekjen 64 veta.

Avokatët mbrojtës argumentuan se nuk kishte prova që gjenerali Galiç u dha urdhër trupave të tij që të vinin në shënjestër civilët.

Gjenerali Galiç është personi i parë i gjykuar nga Gjykata e Kombeve të Bashkuara vetëm për krime lufte të kryera gjatë rrethimit të Sarajevës. Grupet e të drejtave të njeriut thonë se gati 12 mijë veta, përfshirë 1 mijë e 500 fëmijë, u vranë gjatë rrethimit 44-mujor të Sarajevës nga forcat sërbe.

Njëri prej 3 gjykatësve në gjyqin e Galiçit kundërshtoi vendimin, duke thënë se ai nuk ishte i bindur që gjenerali vuri me qëllim në shënjestër civilët dhe theksoi se ai do të rekomandonte një dënim me 10 vjet burgim.

Në një rast tjetër, gjenerali jugosllav në pension, Pavle Strugar, i cili duhej të kthehej sot në Hagë për t’u gjykuar për bombardimin e Dubrovnikut, nuk u paraqit në gjyq, por u shtrua në një spital ushtarak në Beograd.

//rd//

XS
SM
MD
LG