Lidhje

Shqipëri: Mbledhja e grupit parlamentar socialist mbyllet pa rezultate - 2003-11-29


Grupi parlamentar i Partisë Socialiste zhvilloi të shtunën një takim, për të diskutuar rreth mundësisë për ndryshime në qeveri, i cili u mbyll pa rezultate konkrete.

Mbledhja do të pasohet nga konsultime të tjera. Diskutimet u bënë pas një takimi të kryesisë disa ditë më parë ku u hodh ideja dhe u mbështet kryeministri Fatos Nano që të përpiqet të zëvëndësojë dy postet e mbetura bosh në kabinetin e tij, por edhe të bëjë lëvizjen e disa ministrave të tjerë.

Mesa duket kriza e socialistëve nuk do të zgjidhet para Kongresit të Dhjetorit. Edhe synimi i kryeministrit Nano ishte që të mos bënte ndryshime në qeveri para Kongresit.

Zoti Nano po qeveris me dy zëvendësministra në dikasteret kyçe të kabinetit: Ministrinë e Brendshme dhe atë të Jashtme. Rivalët e tij brenda partisë nuk pranojnë ndryshime të pjesshme, por dorëheqje të kryeministrit.

Gjatë mbledhjes pati debate mes zotit Nano dhe ish-kryeministrit Ilir Meta, si edhe mes deputetëve të tjerë. Kundërshtarët e kryeministrit Nano e sulmuan atë duke i thënë se do të sundojë Partinë Socilialiste.

Deri tani grupi i kundërshtarëve të zotit Nano brenda Partisë Socialistë është shprehur negativisht ndaj përpjekjeve të zotit Nano, duke i quajtur ato një tentativë të kryeministrit për të fituar kohë.

Po të shtunën ish-kryeministri Ilir Meta deklaroi edhe një herë se e vetmja zgjidhje mund të vijë pas dorëheqjes dhe largimit të kryeministrit Nano. //kk//

XS
SM
MD
LG