Lidhje

Ku i kanë rrënjët problemet etnike të Ballkanit? - 2003-11-28


Pothuajse në çdo vend të Ballkanit ka probleme që lidhen me gjendjen e pakicave, por një eksperte këtu në Shtetet e Bashkuara nuk mendon se një gjë e tillë i ka rrënjët tek tradita demokratike ose mungesa e saj. Në një intervistë me kolegen Keida Kostreci, Erika Schlager, specialiste për të drejtën ndërkombëtare në Komisionin e Kongresit amerikan për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, tha se gjendja e keqe e pakicave mund të krijojë tensione ekonomike edhe aty ku ato nuk ekzistojnë.

Zëri i Amerikës: Zonja Schlager, sipas informacionit që ju keni, sa të angazhuara janë qeveritë e vendeve të Ballkanit që të respektojnë të drejtat e pakicave, t’i përfshijnë ato dhe t’i angazhojnë në jetën e vendit.

Erika Schlager: Mendoj se ka një nivel të lartë vullneti politik në të gjitha qeveritë, megjithëse ky vullnet politik nuk është i shpërndarë në mënyrë të njëtrajtshme. Kështu mund të gjesh individë në çdo qeveri që po punojnë në drejtim të përmirësimit të të drejtave të pakicave dhe ka patur përparim të vërtetë në rajon në këtë drejtim, vitet e fundit. Megjithatë shumë gjëra mbeten ende për t’u bërë. Këto vende kanë kaluar konflikte ndëretnike, të cilat në shumë raste kanë qenë të dhunshme dhe vendet që janë prekur më drejtpërdrejt prej tyre, mendoj se kanë arritur të kuptojnë rëndësinë e respektimit të të drejtave të pakicave. Por realizimi në praktikë i këtij qëllimi është pika ku disa qeveri po hasin vështirësi.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët konfliktet ndëretnike dhe pothuajse çdo vend në rajonin e Ballkanit ka patur të tilla konflikte dhe ato kanë shkaktuar në shumë raste pasoja për pakicat e këtyre vendeve. A mendoni se precedentët historike dhe kultura e këtyre vendeve e bëjnë të vështirë për të trajtuar të drejtat e pakicave dhe gjendjen e tyre?

Erika Schlager: Unë nuk mendoj se është më e vështirë për këto vende që të ndërtojnë shoqëri demokratike, ku të respektohen të drejtat e pakicave. Edhe vende të tjera të Evropës kanë vështirësi. Madje edhe vendeve me demokraci të konsoliduara si ajo e Shteteve të Bashkuara, u duhet të punojnë çdo ditë për të drejtat e pakicave. Ka një teori, sipas së cilës vendet me traditë demokratike janë më të përgatitura për një tranzicion demokratik paskomunist, por një gjë e tillë nuk është vërtetuar. Mendoj se tranzicioni demokratik dhe respekti për të drejtat e pakicave varen nga vullneti i udhëheqjes aktuale dhe jo nga ajo që ka ndodhur 100, 50 e ndonjëherë 10 vjet më parë.

Zëri i Amerikës: Në vende si Shqipëria ekziston një paqëndrueshmëri politike dhe ekonomike. Njerëzit në përgjithësi dhe jo vetëm pakicat, janë të varfër, të papunë. Si mendoni se ndikon kjo gjendje e përgjithshme në gjenjden e pakicave në vende të tilla?

Erika Schlager: Një nga gjërat interesante në Shqipëri është fakti që historikisht toleranca ndëretnike ka qenë në nivel të kënaqshëm. Por në tranzicionin paskomunist, gjendja ekonomike ka ndryshuar jashtë mase dhe ka një mungese të efektivitetit të shërbimeve shoqërore për më të varfrit. Në raste të tilla pakicat shndërrohen në viktima të problemeve me të cilat ndeshet shoqëria si një e tërë. Mendoj se një gjë e tillë ndodhi pas rënies së skemave piramidale, kur shpesh thuhej se romët kishin rol në trazirat ekonomike, të shkaktuara nga rënia e këtyre firmave. Por nëse një pakicë është në një gjendje më të keqe, edhe në krahasim me ato grupe të shumicës që janë në gjendje të keqe ekonomike, mund të krijohet përshtypja se përkatësia etnike ka një farë roli. Në Shqipëri, ku shumë njerëz jetojnë në varfëri, romët jetojnë akoma edhe më keq, gjë që krijon kushtet për tensione ekonomike, aty ku nuk ekzistonin më parë.

Zëri i Amerikës: Prej shumë kohësh ju studioni gjendjen e popullsisë rome, veçanërisht në vendet e Evropës Lindore. Çfarë mendoni se e bën gjendjen e tyre më të vështirë në krahasim me atë të pakicave të tjera në këto vende?

Erika Shlager: Para së gjithash romët nuk kanë një shtet amë që të kujdeset për interesat e tyre. Kur një pakicë ka një shtet amë, ku shumica është e së njëjtës etni me ta, ky shtet mund të flasë në emër të tyre. Ndonjëherë kjo shkakton problemin e ndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti tjetër. Shteti amë nuk luan gjithnjë një rol të dobishëm, por përgjithësisht e mban lart nivelin e interesimit për atë pakicë të caktuar. Po ashtu është shumë e rëndësishme të kuptohet se çfarë u ndodhi romëve që kur erdhën në Evropë e deri në periudhën e Holokaustit, kur u bënë objekt i genocidit. Po ashtu edhe çfarë u ndodhi gjatë komunizmit, pasi shpesh dëgjoj të thuhet se në atë periudhë ata jetonin më mirë. Një rom nga Bullgaria më ka thënë që për këtë popullsi komunizmi ishte edhe më keq sesa Holokausti, për shkak të përpjekjeve për asimilimin dhe çrrënjosjen e kulturës së tyre.

Zëri i Amerikës: Desha t’ju bëj një pyetje për Kosovën, për gjendjen e pakicave atje. Pas përfundimit të konfliktit, organizata të të drejtave të njeriut kanë folur me shqetësim për gjendjen e pakicave dhe për pamundësinë e tyre për t’u kthyer në Kosovë. Si e shihni ju këtë gjendje sot?

Erika Schlager: Mendoj se gjendja në Kosovë mbetet shumë e zymtë dhe se duhet bërë shumë punë që ajo të bëhet një vend që të mos paraqesë rreziqe dhe që të bëhet i mundur kthimi si i serbëve, ashtu edhe i romëve. Mendoj se ka shumë akte dhune, madje ato janë edhe më të shumta nga ç’njoftohet. Për romët situata është veçanërisht e vështirë, sepse në një farë mënyre si serbët, ashtu edhe shqiptarët, janë përpjekur t’i bindin që të deklarojnë respektivisht identitet etnik serb ose shqiptar. Kështuqë mendoj që në këtë konflikt ata janë gjendur me të vërtetë mes dy zjarreve.

//rd//

XS
SM
MD
LG