Lidhje

Cervenkovski: qytetarët e Maqedonisë duan te jetojne në një shtet të përbashkët - 2003-11-25


Kryeministri i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, ndodhet në Uashington, për bisedime me zyrtarë amerikanë. Ai u takua sot me sekretarin e shtetit Colin Powell dhe vizita përfshin takime me nënpresidentin Dick Cheney si dhe me nënsekretarin e mbrojtjes Paul Wolfowitz.

Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell tha se ai e mirëpret ditën ku Maqedonia të integrohet plotësisht në institucionet Euro-Atlantike.

Ai u tha gazetarëve se e nxiti Kryeministrin Branko Cervenkovski të vazhdojë të këmbëngulë për anëtarësim në Nato.

Zoti Powell tha se Maqedonia ka bërë përparim të dukshëm politik dhe shoqëror në vitet e fundit, por ende i mbetet punë për të përmbushur standartet e anëtarësimit në aleancën e Natos dhe në organizatat e tjera Euro-Atlantike.

Gjatë një konference të organizuar dje në Uashington nga Instituti amerikan i paqes, zoti Cervenkovski tha se njerëzit në Maqedoni kanë vullnetin dhe energjinë e duhur për të jetuar në të njëjtin shtet. Në delegacionin maqedonas bëjnë pjesë edhe nënkryeministri Musa Xhaferri dhe ministrja e jashtëme Ilinka Mitreva.

Gjatë vizitës gjashtëditëshe në Shtetet e Bashkuara, zoti Cervenkovski po kërkon mbështetjen e mëtejshme amerikane për integrimin e Maqedonisë në institucionet euroatlantike.

Së bashku me Shqipërinë dhe Kroacinë, Maqedonia ka nënshkruar Paktin e Adriatikut dhe shpreson që vitin tjetër të bëhet kandidate zyrtare për t’u pranuar në Nato.

Zoti Cervenkovski e quan këtë një sukses të madh po të kihet parasysh, siç thotë ai, se vetëm dy vjet më parë Maqedonia u zhyt në një konflikt të armatosur i cili u zgjidh me ndërhyrjen ndërkombëtare.

Kryeministri maqedonas thekson se fakti që misioni ushtarak europian do të largohet së shpejti, është një shenjë që flet për stabilitet.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të Zërit të Amerikës, kryeministri maqedonas e pranoi se ndonëse një pjesë e madhe e punës është kryer, një detyrë delikate dhe e rëndësishme që parashikon marrëveshja e Ohrit, ende nuk ka përfunduar:

”Tani na duhet të zbatojmë pjesën e decentralizimit të pushtetit, pra kalimin e rëndësishëm të përgjegjësive dhe kompetencave nga niveli qendror në atë lokal. Ne do ta propozojmë ligjin shumë shpejt dhe shpresoj se ai do të miratohet brenda dy muajve të ardhshëm”.

Socialdemokratët e Cervenkovskit kanë një partner të pazakontë tek partia Bashkimi Demokratik për Integrim, anëtarët e së cilës para dy vjetësh luftonin me armë për disa të drejta të shqiptarëve që sot janë pjesë e Marrëveshjes së Ohrit.

Nënkryeministri Musa Xhaferri është në përbërje të delegacionit që shoqëron zotin Cervenkovski dhe ai e pranon se ende mbetet shumë punë.

”Të gjithë jemi dëshmitarë se aty ka shumë punë për të realizuar në praktikë. Me rëndësi është që ne e kemi marrë atë rrugë dhe do të insistojmë të gjejmë impulse të reja ta shpejtojmë atë dinamikë.”

Zoti Xhaferri thotë se pjesmarrja e shqiptarëve në forcat policore dhe ushtarake të vendit ende nuk ka arritur në shkallën që parashikon marrëveshja e Ohrit.

”Krahasuar me dy vite ose dy vite e gjysmë më parë ka një kërcim të dukshëm. Ajo nuk është e mjaftueshme dhe konform marrëveshjes së Ohrit. Nga fundi i vitit 2004 policia e Maqedonisë duhet të reflektojë strukturën nacionale”, tha zëvendëskryeministri i Maqedonisë.

Maqedonia ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm për të luftuar korrupsionin. Por pothuajse njëlloj si në vendet e tjera ballkanike, korrupsioni së bashku me krimin e organizuar dhe trafikun njerëzor, janë atje një plagë mjaft e përhapur që duket se kërkon masa radikale.

”Në fakt, ne trashëgojmë një sistem shumë të sofistikuar të korrupsionit. Kjo është një dukuri që është rrënjosur shumë në Ballkan. Mendoj se duhet të ketë një luftë të përbashkët të shteteve të rajonit. Për fat të keq, për shkak të konjukturave politike ne me vështirësi arrijmë të kemi një bashkëpunim të tillë. Në realitet ne duhet të paguajmë haraçin e partive që ishin në pushtet të cilat e motivuan korrupsionin. Besoj se ne nuk kemi rrugë tjetër përveçse ta luftojmë me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian të cilat janë demokraci të konsoliduara dhe që kanë kapacitetin e duhur për të luftuar korrupsionin dhe krimin”, tha zoti Xhaferri.

Nuk ka dyshim se këto janë disa sfida që shqiptarët dhe maqedonasit do të duhet t’i përballojnë së bashku.

Kryeministri Cervenkovski e pranoi se arritja e harmonisë midis shqiptarëve dhe maqedonasve është një detyrë e vështirë dhe se ajo kërkon kohë dhe energji. Por ai shtoi se njerëzit kanë vullnetin për ta realizuar bashkëjetesën.

Është më e lehtë të krijosh konflikt se sa të ndërtosh mirëbesimin dhe paqes, tha kryeministri maqedonas, por njerëzit kanë vullnetin dhe dëshirën për të jetuar në të njëjtin shtet.

Kryeministri Crvenkovski, i cili erdhi në pushtet para 13 muajsh, tha se ndarja etnike e vendit, siç është propozuar nga opozita, do të ishte një politikë shkatërrimtare dhe pa frute.//ii

XS
SM
MD
LG