Kuvendi lokal në Preshevës nuk është mbledhur që nga 24 korriku, kurse Partia Demokratike e Shqiptarëve po i bojkoton punimet e tij që nga 1 shtatori, e pak më vonë edhe Lëvizja për Progres Demokratik.
Partia për Veprim Demokratik, e cila ka pushtetin në këtë komunë, e drejtuar nga Riza Halimi që është edhe prefektit i Preshevës, ka përjashtuar nga rradhët e veta kryetarin aktual të Komunës, Skender Destanin të cilit i është marrrë edhe mandati i këshilltarit për mos respektimit të vendimeve partiake dhe veprim në favor të dy partive tjera rivale. Mirëpo, problemi ka lindur kur Gjykata Kushtetuese e Serbisë ka konstatuar se mandatet në kuvendin komunal u takojnë këshilltarëve e jo partive. Ky vendim e ka penguar Partinë për Veprim Demokratik që zotit Destani t’ia marrë mandatin e këshilltarit dhe ta shkarkojë nga posti i kryetarit të Kuvendit komunal.
Zyrtarët ndërkombëtar dhe të qeverisë së Serbisë janë përpjekur disa herë që ta tejkalojnë këtë gjendje, duke i ftuar drejtuesit e partive politike për ta zgjidhin krizën dhe pushteti lokal të nis të funksionojë normalisht, por thirrjet e tyre nuk janë përfilluar.
Kryetari i kuvendit, Skender Destani ka kërkuar me një letër nga institucionet e Serbisë që ta shpërndajnë Kuvendin lokal të Preshevës sepse për këtë janë plotësuar kushtet ligjore. Për bllokadën e punës së kuvendit zoti Destani e ka akuzuar Riza Halimin, pse nuk i ka tubuar drejtuesit e partive të tjera për ta zhbllokuar punën e Kuvendit, duke shtuar se ai ka dashur të gjejë shpëtim në bashkëpunim me këshilltarët e koalicionit serb.
Edhe drejtuesit e dy partive të tjera politike akuzojnë Riza Halimin për këtë gjendje. Kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve (PDSH), Ragmi Mustafa ka pohuar për mediat se fajtor është zoti Halimi, sepse ka përjashtuar nga partia tre këshilltarë midis të cilëve dhe kryetarin e kuvendit komunal. Ai ka shtuar se 11 këshilltarët e partisë së tij do të vazhdojnë bojkotimin e Kuvendit të Preshevës të filluar më 1 shtator. Kurse drejtuesi i Lëvizjes për Progres Demokratik (LPD), Orhan Rexhepi thotë se Halimi po orvatet ta uzurpojë tërë pushtetin dhe të bashkëpunojë me pushtetin në Beograd.
Kryesia e Partisë për Veprim Demokratik (PVD) i ka hedhur poshtë të gjitha këto akuza, duke thënë se kërkesa për shpërndarjen e Kuvendit është absurde dhe e shkatërron rëndë vullnetin e shprehur të popullit në zgjedhjet e vitit të kaluar në Preshevës. Kjo parti e akuzon zotin Destani për veprime destruktive të bashkërenduara me moratoriumet e Kryesive të PDSH-së dhe LPD-së, të cilat nuk e kanë pranuan as ofertën e kësaj partie për vazhdimin e punës së Kuvendit lokal, duke siguruar raport të barazpeshuar të dy grupacioneve të këshilltarëve, ku Skender Destani do të mbetej kryetar i Kuvendit.
Ndërkaq Riza Halimi ka paralajmëruar në mjetet e informimit mundësinë e shtyrjes së afatit të shpërndarjes së Kuvendit lokal edhe për një muaj, duke shtuar se në këtë afat llogariten pushimet verore. Mirëpo, Orhan Rexhepi nga LPD një paralajmërim të tillë e ka karakterizuar si lëshim pe të organeve të shtetit të Serbisë ndaj prefektit të Preshevës, Riza Halimit.
Edhe pse tani fjalën e kanë organet e pushtetit të Serbisë do të ishte e udhës që drejtuesit politikë të Preshevës ta shfrytëzojnë këtë kohë për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre politike. Sepse këtë e pret popullata shqiptare e kësaj treve e cila është e lodhur me makionacione politike nga e kaluara, dha tani pret një përgjegjësi dhe angazhim më të madh të tyre në zgjidhjen e problemeve të jetesës që në këtë trevë janë tejet të mëdha. Por ata duhet t’i tregojnë edhe opinionit serb dhe faktorëve ndërkombëtar se janë të zot ta udhëheqin pushtetin, duke i lënë anash interesat partiake, grupore e personale.