Shanseve për t’u rizgjedhur për një mandat të dytë të presidentit Bush iu shtua edhe një shpresë kur Departamenti i Punës deklaroi se papunësia kishte shënuar një rënie për të tretin muaj me rradhë.
Por kjo shpresë u shua paksa kur në Irak u qëllua edhe një helikopter tjetër amerikan si dhe rezultatet e një anketë të re ku thuhet se dyshimet e publikut janë në rritje për sa i përket punës së presidentit Bush në Irak.
Analistët politikë thonë se administrata e presidentit Bush duhej të ishte e lehtësuar nga rezultatet e fundit në rritjen e ekonomisë dhe rënien e numrit të të papunëve.
Kushtet ekonomike kanë luajtur gjithmonë një rol kyç në zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet e vitit 2004 nuk do të bëjnë ndonjë përjashtim.
Mirëpo disa analistë paralajmërojnë se me shenjat e një ekonomie e cila po ringjallet, opinioni do t’i kushtojë një vëmendje më të madhe situatës në Irak. Fred Barnes, redaktor i revistës konservatore Weekly Standard, në një emision të Zërit të Amerikës, u shpreh:
“Në anën tjetër, kjo do ta bënte Irakun një çështje edhe më të rëndësishme. Derisa njerëzit janë të kënaqur me gjendjen ekonomike të vendit, ata do t’i kushtojnë gjithnjë e më tepër vemendje situatës në Irak. Pra unë nuk mendoj dhe kurrë nuk kam menduar se një ekonomi e sukseshme do ta bënte presidentin Bush të pakonkurueshëm në zgjedhjet e vitit 2004”.
Humbjet e vazhdueshme në Irak po shtojnë gjithmonë e më tepër shqetësimin e publikut. Një anketë e bërë kohët e fundit nga rrjeti televiziv, CNN, gazeta USA Today dhe organizata Gallup tregon se 54 përqind e amerikanëve nuk e përkrahin tani politikën e presidentit Bush në Irak.
Kjo përqindje në muajin gusht ishte vetëm 41. Në një fjalim në Qendrën për Përkrahjen e Demokracisë në Washington, presidenti Bush mbrojti politikën e tij në Irak. Ai tha se suksesi në Irak ishte kritik jo vetëm në përpjekjet në luftën kundër terrorizmit por edhe në përhapjen e demokracisë në Lindjen e Mesme.
“Dështimi ynë për ngritjen e demokracisë në Irak do t’u jepte zemër terroristëve në mbarë botën dhe do të rriste rrezikun ndaj popullit amerikan. Kjo do të humbte shpresat për miliona njerëz në rajon.”
Kritikat e politikës së Presidentit Bush në Irak po shtohen jo vetëm në rradhët e demokratëve por edhe të republikanëve. Kongresmeni republikan Jim Leach nga shteti i Iowes tha se planifikimi i varfër në Irak pas luftës ka qenë siç ka thënë ai një ndër parashikimet më të gabuara në mendimin strategjik të historisë amerikane. Kongresmeni shprehu shqetësimet e tij për një angazhim të gjatë amerikan në Irak gjatë një intervistë telefonike me gazetarë në shtetin e Ioves, që përfaqëson.
“Unë mendoj se duhet të vemë afate ku do t’i parashtronim vetes kohën kur misioni do të quhej i mbaruar dhe të tërhiqemi. Pyetja është se a mund të fitohet paqja me anë të një mentaliteti dhe unë mendoj se kjo nuk është e mundshme”.
Zyrtarë të administratës vazhdojnë të thonë se në pjesën më të madhe të Irakut sundon paqja dhe se forcat amerikane në këtë vend po rrisin përpjekjet për të arrestuar ata që janë përgjegjës për sulmet e vazhdueshme kundër forcave të koalicionit. Komentatori politik Joseph From thotë se humbjet në Irak mund ta bëjnë Irakun një çështje të rëndësishme në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
“Nuk do të ishte edhe aq humbje e madhe në terren, sa do të ishte e madhe nëse numri i të vrarëve amerikanë në Irak të zbehte përkrahjen e publikut për këtë çështje”.
Nga të gjithë kandidatët demokratë për presidentë, vetëm dy nuk përkrahin idenë se Shtetet e Bashkuara duhet të qendrojnë ushtarakisht të angazhuara në Irak, derisa vendi të stabilizohet. Ata vazhdojnë t’i bëjnë thirrje Presidentit Bush që të kërkojë ndihmë më të madhe ndërkombëtare për rindërtimin e Irakut.//kk//