Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë të propozuar nga regjimi i Fidel Kastros, në të cilën bëhet thirrje t’i jepet fund embargos tregëtare amerikane ndaj Kubës. Ky votim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ishte i gabuar.
Embargoja e Shteteve të Bashkuara ndaj Kubës u vendos në fillim të viteve ’60, pas një shpronësimi në shkallë të gjerë dhe të paligjshëm të pronave amerikane në Kubë, për të cilat regjimi i Kastros nuk ofroi kompensime.
Embargoja tregëtare ndaj Kubës ka vazhduar të ruhet për një qëllim të caktuar: vazhdimi i trysnisë që në Kubë të kthehen liria dhe demokracia. Fatkeqësisht, regjimi i Fidel Kastros nuk ka treguar interes për zbatimin e reformave politike dhe ekonomike dhe vazhdon t’i mohojë të drejtat themelore popullit kuban.
Rezoluta e OKB-së e propozuar nga Kubën, është një përpjekje për të fajësuar Shtetet e Bashkuara për vështirësitë e saj ekonomike dhe për të larguar vëmendjen nga gjendja e mjerueshme e të drejtave të njeriut në atë vend.
Embargoja amerikane nuk është bllokadë. Ajo nuk pengon tregëtinë me vendet e tjera. Është politika e dështuar ekonomike e regjimit të Kastros dhe jo embargoja amerikane ajo që ka çuar në varfërimin e kubanëve dhe në shkatërrimin e ekonomisë kubane, dikur një nga ekonomitë më të përparuara në rajon.
Shtetet e Bashkuara kanë ofruar të bëjnë ndryshime në embargon, në shkëmbim të reformave. Rreth një vit më parë, Presidenti Bush i bëri thirrje Fidel Kastros të lejonte zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të hapte ekonominë, të lejonte krijimin e sindikatave të pavarura dhe t’u jepte fund praktikave diskriminuese ndaj punonjësve kubanë. Por, siç tha presidenti Bush, asgjë nuk ka ndryshuar:
Të burgosurit politikë të Kubës vazhdojnë të jenë objekt rrahjesh dhe izolimi. Atyre u mohohet kujdesi mjekësor. Zgjedhjet në Kubë vazhdojnë të jenë mashtrime. Grupet e opozitës vazhdojnë të organizohen dhe të mblidhen në kushte të rrezikshme. Veprimtaria ekonomike private vazhdon të jetë rreptësisht e kufizuar. Sindikatat jo-qeveritare shtypen, të drejtat e pronësisë nuk përfillen dhe shumica e shërbimeve dhe e mallrave që prodhohen në Kubë, vazhdojnë të rezervohen për elitën politike. Është e qartë se regjimi i Kastros nuk do të ndryshojë vullnetarisht, tha presidenti Bush.
Pas votimit në OKB, Sichan Siv, përfaqësuesi i përhershëm i Shteteve të Bashkuara në Këshillin Ekonomik dhe Social të OKB-së, tha se Kuba do të ndryshojë:
Dita më e mirë për Kubën do të jetë kur populli kuban t’i ketë dhënë fund regjimit të egër diktatorial të Kastros dhe t’i ketë thënë atij: ”Hasta la vista, Lamtumirë!”, tha zoti Siv.
Miliona kubanë po e presin me padurim këtë ditë.// lk //