Lidhje

Krishti i martuar? - 2003-11-07


Për shekuj me radhë jeta e Krishtit ka qenë burim veprash të mëdha, por nuk ka ndodhur shpesh që të vihen në diskutim faktet për jetën e tij. Ndërsa tani në shekullin e 21-të, është ngritur një hipotezë e pazakontë.

Pyetja që shtrohet është: A ishte i martuar Jezu Krishti? Kjo është pyetja intriguese që shtrohet në romanin “The Da Vinci Code”, Kodi i Da Vincit, që ka patur një sukses të jashtëzakonshëm, duke shitur afro 4 milionë kopje këtu në Shtetet e Bashkuara.

Leonardo da Vinci shkaktoi shumë polemika kur ishte gjallë, por edhe sot, shekuj pas vdekjes ai ngjall interesin tonë. Njeriu i Rilindjes që pikturoi Mona Lizën e mistershme, u bë një subjekt interesant për një shkrimtar të këtij shekulli. “Sa më shumë mësoja për Leonardo Da Vincin, aq më shumë më krijohej ndjesia se ai është nga ata njerëz që mund të tregojë diçka në mënyrë shumë të fshehtë”, , thotë autori i romanit “Kodi i Da Vincit”, Dan Brown.

Në librin e tij ai pohon se sekreti më i madh që Da Vinci na ka rrëfyer, mund të gjendet në pikturën e tij “Darka e fundit”.

Por cili është ky sekret?

Brown thotë se personi i ulur pranë Jezu Krishtit, nuk është Shën Gjoni, siç mendohej për një kohë të gjatë, por një grua, Maria Magdalena, e veshur si burrë.

Ai thotë se kjo figurë duket shumë femërore dhe hapësira mes kësaj figure dhe Jezu Krishtit është në formën e një V-je, një simbol i lashtë i feminilitetit. Ky interpretim mund të tingëllojë i sforcuar, meqenëse bëhet nga një shkrimtar, por disa historianë arti gjithmonë janë intriguar nga një mundësi e tillë.

Doktor Carlo Pedreti i një qendre në Firence që merret me studime mbi Leonardon, thotë se figura mund të jetë një grua.

“Ka shumë mundësi të jetë kështu. Flokët janë njëlloj si të sajat”,thotë ai.

Dan Brown, sugjeron madje në librin e tij, se Maria Magdalena është e përfshirë në pikturë, sepse ajo në të vërtetë ishte e martuar me Krishtin. “Atëherë norma ishte martesa. Në atë kohë as nuk ekzistonte në gjuhën e tyre një fjalë për beqarinë”, , thotë Margaret Starboard, autore e disa librave, mbi të cilat u bazua Dan Brown për të shkruar “Kodin e Da Vincit”.

Ajo thotë se në Bibël ka të dhëna se Krishti ishte i martuar, nëse di se ku t’i kërkosh ato.

Në Ungjillin sipas Gjonit, Maria Magdalena qan e vetme pranë varrit të tij, kur befasohet nga dikush që si përfundim është Krishti i Ringjallur. Ajo thërret dhe ai i thotë: Mos më prek!

Mesa duket në ato momente ai është në një gjendje mes jetës dhe vdekjes.

Kjo skenë gjendet në pikturat e shumë artistëve të mëdhenj perëndimorë, me titullin që në latinisht do të thotë “Mos më prek”.

Por versioni më i vjetër i ungjillit, shkruar në greqisht, i shpjegon gjërat paksa më ndryshe.

“Në greqisht gjejmë shprehjen ‘mos u ngjit pas meje’, që është një formë shumë më intime. Me fjalë të tjera, ajo në të vërtetë po e përqafon”, thotë Starboard.

Por a do të ishte i pazakontë një përqafim i tillë nëse ata nuk do të ishin burrë e grua?

“Po, sepse në atë kohë ishte tabu që një grua të prekte një burrë që nuk ishte i shoqi”, thotë ajo.

“Do të ishte një afrim i pa vend mes një burri dhe një gruaje në kulturën e atëhershme. Kjo e bën pjesërisht tronditëse një gjë të tillë”,, thotë Darryl Box, i Institutit të Teologjisë në Dallas. Por ai shton se një gjë e tillë nuk do të thotë që Krishti dhe Maria Magdalena ishin burrë e grua. Ai e sheh një afërsi të tillë si akt përkushtimi shprehur ndaj tij, pa u shqetësuar se çfarë do të mendonin njerëzit.

Megjithëse shumë udhëheqës fetarë nuk e pranojnë që Krishti të ishte i martuar, vetë fakti që një hipotezë e tillë shtrohet dhe në qendër të saj është një pikturë e Da Vincit, ka bërë që njerëzit t’i kthehen me kënaqësi një interesi të rizgjuar për këtë artist misterioz.//kk//

XS
SM
MD
LG