Lidhje

Presidenti Bush pohon me forcë vendosmërinë dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara për rindërtimin e Irakut - 2003-11-07


Presidenti Bush dërgoi një mesazh të fuqishëm lidhur me vendosmërinë dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara për rindërtimin e Irakut dhe vendosjen e demokracisë në Lindjen e Mesme, duke deklaruar se liria dhe demokracia janë aspirata për të cilat ia vlen të luftosh dhe të vdesësh. Komentet e forta të Presidentit Bush u bënë një ditë pasi dy ushtarë amerikanë u vranë në Irak dhe kur po shtohen kritikat në Uashington nga anëtarë të partisë së tij republikane lidhur me misionin amerikan në Irak.

Në një fjalim që ishte shumë më i thellë, se sa vetëm ripohim i qëllimeve amerikane në Irak, Presidenti Bush, i krahasoi përpjekjet për vendosjen e demokracisë në Lindjen e Mesme me Luftën e Ftohtë kundër komunizmit. Në të njëjtën kohë ai ishte gati të deklaronte se mbështetja që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera i kanë dhënë diktaturave në Lindjen e Mesme gjatë disa dhjetëvjeçarëve, përbën një rrezik tepër të madh. ”Periudha 60-vjeçare gjatë të cilës vendet perëndimore toleruan mungesën e lirisë në Lindjen e Mesme, nuk kontriboi aspak për sigurinë tonë të së ardhmes, prandaj stabiliteti nuk mund të blihet në dëm të lirisë”.

”Tani, tha ai, rajoni ka mbërritur në një pikë kthese nga ku ose mund të shkojë drejt përparimit e paqes, ose të mbetet burim dhune e terrori”. Ndërsa nënshkroi të enjtën ligjin për paketën e ndihmave prej 87 miliardë dollarësh për Irakun dhe Afganistanin, zoti Bush e cilësoi misionin ”provë të vullnetit të mirë” duke e bërë fare të qartë se përpjekjet për të rindërtuar të dy vendet do të jenë të mëdha e të vështira, por që ia vlen të sakrifikosh.

”Ndërtimi i një Iraku të lirë dhe i një Afganistani të lirë do të jenë ngjarje me shumë rëndësi në historinë e Lindjes së Mesme, ngjarje me shumë rëndësi në revolucionin botëror për demokracinë, që e ka transformuar tashmë, Evropën, Amerikën Latine dhe pjesën më të madhe të Afrikës e Azisë”.

Por mbrojtja e fuqishme e qëllimeve amerikane në Lindjen e Mesme nga ana e Presidentit Bush u bë kur janë shtuar kritikat ndaj strategjisë amerikane për rindërtimin e Irakut nga anëtarë të vetë Partisë Republikane në Kongress. Senatori, John McCain, një nga zërat më të respektuar për çështjet e mbrojtjes, është mes atyre që e kanë vënë në pikpyetje nëse Pentagoni mund të vendosë paqen dhe sigurinë në Irak pa dërguar më shumë trupa në terren. ”Presidenti Bush flet shpesh për nevojën për t’u hedhur në ofensivë në luftën kundër terrorit. Por në Irak, ne duket se shpesh herë jemi në pozita mbrojtëse. E vërteta e thjeshtë është se ne nuk kemi forca të mjaftueshme në Irak për të realizuar objektivat tona ushtarake”.

Në Pentagon, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, tha se idetë e Senatorit McCain ia vlejnë të dikutohen, por se vetë sekretarit nuk i është bërë një kërkesë e tillë. ”As edhe një nga komandantët e ushtrisë në Irak, nuk më ka rekomanduar se duhen forca të tjera amerikane atje. As edhe një komandant i vetëm i Komandës Qendrore”.

Por ushtarë dhe rezervistë të rinj po mobilizohen për të shkuar në Irak. Sekretari Rumsfeld njoftoi se ai ka nënshkruar urdhërat për vënien në gjendje gatishmërie të 85 mijë trupave të luftimit për t’i dërguar në Irak vitin e ardhëshëm për një shërbim 12 mujor dhe për rreth 43 mijë rezervistë e anëtarë të Gardës Kombëtare që mund të dislokohen atje. Megjithë këtë ai tha se këto trupa do të zëvendësojnë ato që ndodhen në Irak dhe nuk do të shtojnë praninë amerikane atje dhe se numri i përgjithshëm i forcave amerikane në Irak duhet të pakësohet vitin e ardhshëm, në qoftë se gjendja e sigurisë në vend nuk keqësohet edhe më tepër. //az//

XS
SM
MD
LG