Lidhje

15 milionë fëmijë në pesë vende afrikane janë në rrezik të preken nga poliomieliti - 2003-11-05


Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se 15 milionë fëmijë në pesë vende afrikane janë drejtpërdrejt të rrezikuar të preken nga poliomieliti për shkak të një shpërthimi të ri të epidemisë së kësaj sëmundjeje në Nigeri.

Poliomieliti është një infeksion viral akut që prek kryesisht fëmijët dhe mund të përhapet nëpërmjet kontakteve të thjeshta fizike. Mjeku Davis Heyman i Organizatës Botërore të Shëndetësisë thotë se aktualisht Nigeria ka numrin më të madh të rasteve të poliomielitit në botë.

Kjo sëmundje vazhdon të përhapet nëpër zona më parë të paprekura të Nigerisë dhe në vende të tjera. Megjithë këtë rrezik, disa udhëheqës fetarë dhe politikanë myslimanë kanë arritur ta bllokojnë një fushatë vaksinimi të Oraganizatës Bëtërore të Shëndetësisë në pjesën veriore të Nigerisë. Ata argumentojnë, pa paraqitur prova, se vaksina nuk është e sigurt.

Rreth 200 reaste poliomieliti janë identifikuar në Nigeri gjatë këtij viti. Afër dhjetë fëmijë në Burkina Faso, Gana, Niger dhe Togo janë paralizuar nga virusi i poliomielitit i përhapur nga Nigeria Veriore. Doktor Bruce Alward, bashkërenduesi i përpjekjeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për zhdukjen e poliomielitit, paralajmëron se në qoftë se autoritetet nigeriane nuk veprojnë në mënyrë të përgjegjshme, një pjesë e mirë e botës mund të kërcënohet përsëri nga kjo sëmundje:

“Nëse ne nuk i japim fund këtij problemi brenda 12 muajve të ardhshëm, thotë Dr. Alward, virusi do të përhapet me shpejtësi edhe në pjesë të tjera të botës. Momentalisht, kemi rreth 500 raste në botë. Mirëpo, nëse nuk i shfrytëzojmë 12 muajt e ardhshëm për ta çrrënjosur epideminë, brenda pak vjetësh, poliomieliti do të paralizojë përësëri rreth 500 mijë fëmijë në vit”.

Në të kaluarën, Nigeria ka qenë mjaft e suksesshme në fushatën e vaksinimit kundër poliomielitit. Doktor Walter Orenstein i Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve tha se para shpërthimit të kohëve të fundit të epidemisë në shtetet Kano, Kaduna dhe Zamfara, një pjesë e mirë e Nigerisë, përshfirë qytetin e madh të Lagosit, ishte zonë pa raste poliomieliti për më shumë se 2 vjet.

Tani, zyrtarët në këto tre shtete veriore kanë bllokuar fushatën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për vaksinimin e fëmijëve kundër poliomielitit. Klerikët myslimanë dhe të tjerë që kundërshtojnë vaksinimin, thonë se vaksina përmban substanca që luftojnë aftësinë e njerëzve për riprodhim ose viruse që shkaktojnë Sidën apo kancerin.

Ekspertë ndërkombëtarë të shëndetësisë thonë se këto akuza janë të pabaza. Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë thonë se vaksinat janë provuar në mënyrë të përsëritur dhe janë cilësuar si plotësisht të sigurta.

Qeveria nigeriane thotë se do të bëjë prova të tjera. Ndërkohë, vaksinimi në zonat ku ritmi i infektimit nga poliomieliti është i lartë, është ndalur. Ndërkohë me kalimin e çdo dite, rritet edhe numri i fëmijëve që rrezikohen.

XS
SM
MD
LG