Lidhje

Bagdat: 4 vetë plagosen nga shpërthimet - 2003-11-04


Katër shpërthime tronditën të martën mbrëma kompleksin kryesor amerikan në Bagdad duke shkaktuar plagosjen e disa vetëve. Zyrtarë ushtarakë amerikanë thonë se katër persona u plagosën nga shpërthimet. Njëri prej tyre u mjekua në vend, kurse tre të tjerët u dërguan në një spital ushtarak në Bagdad.

Hetimet kanë filluar për të përcaktuar shkakun e shpërthimeve, por dëshmitarë thonë se kanë parë zjarr raketash apo mortajash.

Kompleksi amerikan ndodhet në të ashtuquajturën zonë e gjelbër, ku jetojnë dhe punojnë forcat ushtarake amerikane dhe personeli i koalicionit.

Shpërthime të ngjashme ndodhën në afërsi të asaj zone edhe të hënën në mbrëmje, por ato nuk shkaktuan viktima apo dëme. Po të martën, një ushtar amerikan u vra dhe dy të tjetë u plagosën nga një shpërthim në Bagdad.

Presidenti Bush tha se vendosmëria e Shteteve të Bashkuara për të vazhduar misionin në Irak nuk është dobësuar nga vrasja e ushtarëve amerikanë. Ai tha të martën gjatë një konference shtypi në Kaliforni se në Irak nuk kanë rifilluar operacione luftarake në shkallë të gjerë. Por, theksoi se operacionet kundër terroristëve vazhdojnë dhe se Shtetet e Bashkuara nuk do të tërhiqen.

Zyrtarët amerikanë e ulën në 15 numrin e ushtarëve të vrarë në sulmin kundër një helikopteri të tipit Çinuk. Pentagoni tha të hënën se në sulm kishin mbetur të vrarë 16 ushtarë.

Ndërkohë, zyrtarë ushtarakë britanikë bënë të ditur vrasjen javën e kalaur të një marinsi britanik nga zjarri i armikut.

Spanja, një nga aleatët e ngushtë të Shteteve të Bashkuara, përmendi shqetësimet rreth gjendjes së sigurisë si shkak për tërheqjen e përkohshme nga Bagdadi të personelit të ambasadës spanjolle dhe të ekspertëve të saj që shërbejnë në kuadër të koaliacionit. //az//

INCIDENTE TE PERDITESHME

Sipas zyrtarëve ushtarakë të Shteteve të Bashkuara, nga një shpërthim në Bagdat një ushtar amerikan u vra ndërsa një tjetër u plagos.

Një zëdhënës ushtarak tha se incidenti ndodhi sot në mëngjes dhe se shpërthimi u shkaktua nga një mekanizëm i ndërtuar me mjete rrethanore. Nga një sulm i ngjashëm të hënën në qytetin verior Tikrit u vra një ushtar amerikan dhe u plagos një tjetër.

Po të hënën, të paktën një person humbi jetën nga një shpërthim në jug të qytetit Qerbela, pranë një tempulli shiit.

Ndërkohë, trupat amerikane ngritën postblloqe përgjatë autostradës kryesore veri-jug të Irakut dhe shtuan kërkimet për armë, përfshirë raketat portative që mendohet se u përdorën për rrëzimin e një helikopteri amerikan të dielën. 16 ushtarë amerikanë humbën jetën dhe 20 u plagosën nga rrëzimi i helikopterit.

Presidenti Bush tha të hënën se vazhdimi i sulmeve kundër trupave dhe civilëve amerikanë nuk do të dobësojë vendosmërinë e Amerikës për të ndihmuar në ndërtimin e një shoqërie të lirë dhe paqësore në Irak.//ii

XS
SM
MD
LG