Lidhje

Izraeli nuk arrin të bindë Moskën për tërheqjen e projekt-rezolutës - 2003-11-04


Kryeministri izraelit, Ariel Sharon, i dha fund vizitës në Moskë pa arritur të sigurojë premtimin rus për të tërhequr një projekt-rezolutë të propozuar në OKB, që mbështet planin e paqes për Lindjen e Mesme.

Zyrtarë izraelitë thanë se presidenti rus, Vladimir Putin, dëgjoi të hënën me vëmendje ankesat e kryeministrit Sharon rreth projekt-rezolutës, por nuk u angazhua për ndërmarrjen e ndonjë veprimi.

Rusia e propozoi javën e kaluar projekt-rezolutën, e cila miraton zyrtarisht planin e paqes së hartuar nga Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Plani parashikon krijimin e një shteti palestinez branda vitit 2005 dhe ndaljen e zgjerimit të vendbanimeve hebraike në territoret e pushtuara palestineze.

Izraeli thotë se e mbështet planin në parim, por këmbëngul që Autoriteti Palestinez duhet të marrë masa kundër grupeve ekstremiste të përziera në sulmet terroriste para se të krijohet ndonjë shtet palestinez.

Zoti Sharon i tha presidentit rus se Izraeli është i gatshëm të bëjë lëshime, por jo në dëm të sigurisë izraelite. Kryeministri izraelit shprehu shqetësim edhe rreth programit bërthamor të Iranit, duke thënë se dyshon që Teherani ka në plan të zhvillojë armë bërthamore.

Rusia po e ndihmon Iranin të ndërtojë një central të energjisë bërthamore, por thotë se nuk po e ndihmon atë të ndërtojë një bombë atomike. //az//

XS
SM
MD
LG