Në Irak, një helikopter i madh amerikan transporti qëllohet dhe rrëzohet, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 15 ushtarëve dhe plagosjen e më shumë se 20 të tjerëve. Sipas dëshmitarëve, dy helikopterë u qëlluan me të paktën dy raketa. Një zëdhënës ushtarak amerikan tha se hetimet rreth këtij incidenti kanë filluar.
Në Uashington, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, e cilësoi rrëzimin e helikopterit si ngjarje tragjike për Amerikën dhe u zotua personat përgjegjës do të mposhten. Ky është sulmi më vdekjeprurës kundër forcave amerikane që nga një maji, kur Presidenti Bush deklaroi se operacionet luftarake në shkallë të gjerë në Irak kishin marrë fund.
Autoritetet amerikane thonë se ushtarët në bordin e helikopterëve të transportit të tipit Çinuk ishin me pushime dhe po udhëtonin për në aeroportin ndërkombëtar të Bagdadit.
Ndërkohë, një ushtar tjetër amerikan u vra të djelën në kryeqytet nga shpërthimi i një bombe kundër një autokolone ushtarake. Në një incident tjetër në qendër të qytetit Falluxha, banorët thonë se një bombë shpërtheu ndërkohë që një autokolonë me trupa amerikane po kalonte pranë një tregu. Një nga automjetet u përfshi nga flakët.
Televizioni paraqiti pamje të makinës së dëmtuar të rrethuar nga një turmë irakianësh që brohorisnin, përfshi një djalë që mbante në duar helmetën e një ushtari amerikan. Nuk ka pasur njoftime për viktima në këtë sulm. //az//