Lidhje

14 ushtarë amerikanë të tjerë vriten në Irak - 2003-11-02


Të dielen, një valë sulmesh kundër forcave amerikane në Irak la të vrarë të paktën 14 ushtarë. Një nga dy helikopterët e mëdhenj të tipit Çinok që po transportonin trupa për në Bagdad, u rrëzua sot jashtë kryeqytetit, në një zonë rurale në afërsi të qytetit Falluxha.

Të paktën 13 nga 35 ushtarët në bordin e helikopterit humbën jetën dhe rreth 20 të tjerë u plagosën në këtë sulmin më vdekjeprurës që nga përfundimi i operacioneve luftarake në shkallë të gjerë 6 muaj më parë.

Një ushtar tjetër u vra nga shpërthimi i një bombe kundër një autokolone ushtarake në kryeqytet. Sipas dëshmitarëve, helikopterët u qëlluan me të paktën dy raketa. Njëri nga helikopterët u godit dhe u rrëzua. Zyrtarë amerikanë thonë se ushtarët në bordin e helikopterëve të transportit ishin me pushime dhe po udhëtonin për në aeroportin ndërkombëtar të Bagdadit.

Në një incident tjetër në qendër të qytetit Falluxha, banorët thonë se një bombë shpërtheu ndërkohë që një autokolonë me trupa amerikane po kalonte pranë një tregu. Një nga automjetet u përfshi nga flakët. Makina e dëmtuar u rrethua nga një turmë irakianësh që brohorisnin, përfshi një djalë që mbante në duar helmetën e një ushtari amerikan. Nuk ka pasur njoftime për viktima në këtë sulm.//xh//

XS
SM
MD
LG