Presidenti Bush tha se vazhdimi i dhunës në Irak nuk do t’i bëjë Shtetet e Bashkuara të largohen para kohe nga ai vend. Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, Presidenti Bush tha se tërheqja nga Iraku do t’i inkurajonte terroristët, të cilët, theksoi ai, mbajnë përgjegjësinë për dhunën dhe vazhdimin e sulmeve kundër trupave amerikane.
Presidenti Bush theksoi se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura të qëndrojnë atje, të luftojnë dhe të fitojnë. Ai tha se disa nga njerëzit përgjegjës për sulmet janë përkrahës të Sadam Huseinit, të cilët kërkojnë të kthehen në pushtet dhe urrejnë lirinë e re të Irakut.
Presidenti tha se të tjerët janë luftëtarë, të cilët kanë shkuar në Irak për të ngjallur frikë, krijuar kaos dhe për të parandaluar krijimin e një demokracie në zemër të Lindjes së Mesme.
Në numrin e së shtunës, gazeta Nju Jork Tajms njofton se qindra të rinj ekstremistë myslimanë nga Evropa dhe Lindja e Mesme kanë shkuar në Irak gjatë muajve të fundit për të luftuar kundër forcvave amerikane.
Gazeta shkruan se nuk duket se ky vërshim të jetë i bashkërenduar, por një lëvizje e atyre që një zyrtar i zbulimit i quan djem të rinj, të zemëruar dhe të motivuar nga retorika anti amerikane dhe anti britanike. //kk//