Senati amerikan e shtyu për të hënën votimin për paketën e shpenzimve ushtarake dhe procesin e rindërtimit në Afganistan dhe Irak. Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi me 298 vota në favor dhe 121 kundër, paketën prej 87 miliardë dollarësh.
Miratimi i paketës me shumicë të madhe votash shikohet si fitore për Presidentin Bush. Në paketën e shpenzimeve përfshihen 65 miliardë dollarë për operacionet ushtarake në Irak dhe Afganistan dhe mbi 20 miliardë dollarë për përpjekjet e rindërtimit, pjesa më e madhe për Irakun.
Po sot, senatori demokrati Carl Levin tha se administrata e Presidentit Bush duhet të shqyrtojë seriozisht mundësinë e mobilizimit të anëatrëve të ish ushtrisë irakiane për të ndihmuar në lehtësimin e barrës së trupave amerikane në Irak. Por, zoti Levin theksoi se anëtarë të personelit ushtarak besnikë të vendosur të qeverisë së mëparshme dhe anëtarë të Gardës Republikane nuk duhen marrë në shqyrtim.
Ndërkohë, komisioni i Senatit për zbulimin ka caktuar ditën e sotme si afat për Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit që të dorëzojnë dokumentet dhe të lejojnë zhvillimin e intervistave lidhur me veprimtarinë e shërbimit të zbulimit për armët irakiane të shkatërrimit në masë. Shtëpia e Bardhë ka thënë se tashmë i ka dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme. Komisioni po heton informacionin e zbulimit që administrata e Presidentit Bush përdori për të justifikuar ndërhyrjen ushtarake në Irak.
//rd//