Ekonomia shqiptare pritet të ketë një rritje prej 6 përqind në fund të këtij viti, ndërsa inflacioni do të jetë në nivelet e parashikuara të 2-4 përqind. Ky është përfundimi në të cilin kanë arritur institucionet financiare të Shqipërisë dhe Fondi Monetar ndërkombëtar. Mirëpo kur zyrtarët përmendin shifra të tilla rritjeje si 6 përqind, kjo rrezikon të krijojë përshtypjen se ekonomia po ecën mirë dhe se problemet thelbësore të saj po shkojnë drejt zgjidhjes. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Robert Çeku, ish ministër i financave, tani deputet i Partisë Republikane, thotë se viti 2004 po troket në një krizë të plotë ekonomike.
Zëri i Amerikës: Zoti Çeku, së pari, si i vlerësoni ju shifrat e dhëna nga qeveria dhe nga Fondi Monetar për ekonominë shqiptare. Sa reale janë ato?
Robert Çeku: Deklarata e fundit e qeverisë shqiptare dhe e FMNsë nuk ka ndonjë ndryshim thelbësor nga deklaratat rutinë që kemi dëgjuar këto 4 apo 5 vitet e fundit. Në fakt paraqitet çdo gjë sikur shkon mirë, por ju e dini që jo çdo gjë që ndrit është ar e para. E dyta, flitet thjesht dhe vetëm për tregues të nivelit makroekonomik të cilët po të përkthehen, në jetën përditshme nuk do të thonë asgjë për njerëzit. Në këtë kuptim unë mendoj që as qeveria shqiptare dhe as FMNja nuk dëshirojnë të prekin thembrën e Akilit e cila përmblidhet në pyetjen; inflacion apo papunësi? Kjo është dilema që shoqëron tranzicionin shqiptar. Fakti që edhe Banka Qëndrore, qeveria dhe FMN-ja insistojnë shumë për mbajtjen e inflacionit në kontroll, në nivele dy deri në katër përqind, në gjuhën e përditshme të ekonomistëve përkthehet në rritje të papunësisë. Dhe rritja e papunësisë, që është treguesi themelor i Shqipërisë sot, do të thotë që vendi do të vazhdojë të ekportojë emigrantë në perëndim dhe kudo në botë, ndërkohë që mundësia që të hapen vende të reja pune, që të futen të papunët në punë dhe që rinia të mos largohet nga Shqipëria me sa duket është shumë larg situatës së sotme. Për më tepër, edhe masa e fundit e Bankës Qëndrore e shpallur sot nga guvernatori për uljen e normave të interesit bazë, në fakt shkon në një drejtim konstant të viteve të fundit, një shqetësim permanent për defiçitin e buxhetit. Pra unë kam të gjitha arsyet të mendoj që defiçiti buxhetor është kthyer në një qëllim në vetvete i qeverisë socialiste, e cila abstragon nga treguesit e tjerë mikro dhe kujdeset thjesht dhe vetëm për një aparencë të jashtëme e cila mund të duartrokitet nga një organizëm ndërkombëtar por unë nuk mendoj se duartrokitet nga shqiptarët.
Zëri i Amerikës: Zoti Çeku, në Shqipëri lulëzon ekonomia informale, e cila shpesh nënkupton të ardhura të siguruara me veprimtari kriminale. Madje sipas disa raporteve nga ekspertë të pavarur ndërkombëtarë, thuajse gjysma e prodhimit kombëtar bruto sigurohet nga këto veprimtari. Qeveria ka premtuar vazhdimisht se do ta përmirësojë këtë gjendje. Sa mendoni se është arritur në këtë drejtim?
Robert Çeku: Kjo është një temë që vlen të diskutohet shumë gjerë. Ju e dini që ka 1 vit e gjysmë ose dy që me një ligj të veçantë nga parlamenti është ngritur edhe një organizëm pranë Ministrisë së Financave për luftën kundër pastrimit të parave. Aktualisht deri sot që flasim, nuk ka asnjë të dhënë që po luftohet ekonomia informale dhe përgjithësisht problemi i pastrimit të parave. Në Shqipëri, mbi 50 përqind e parasë qarkullon jashtë sistemit bankar. Kjo është një shifër e pranuar jo vetëm nga ndërkombëtarët por edhe po të shikosh në buletinet e Bankës Qendrore. Aktualisht edhe pjesa që investohet në ekonominë private në një masë të madhe ka natyrën e pastrimit të parave. Unë nuk shoh ndonjë lëvizje konkrete për luftën kundër pastrimit të parasë.
Zëri i Amerikës:Ç’doni të thoni me shprehjen ”ka natyrën e pastrimit të parave”, ku pasqyrohet kjo?
Robert Çeku: Ka natyrën e pastrimit të parave sepse askush deri më sot në Shqipëri përveç investimeve që bëhen në mënyrë private nuk interesohet të bëjë një vëzhgim se cilët janë ata që bëjnë investime. Cilët janë burimet e të ardhurave të tyre? Ku deklarohen burimet e të ardhurave që investojnë? Nga vijnë këto para? Është një pyetje fare e thjeshtë që ka ngelur pa përgjigje. Prandaj cilido ka arsye të thotë se këto janë para të pista që gjejnë shesh dhe investohen për tu pastruar brenda vendit, sepse ju duhet ta dini për shembull, se mënyra më e lehtë, më efektive për të pastruar paratë, bie fjala nga New Yorku në Tokio është New York-New York dhe po të kthehemi në Shqipëri mënyra më e mirë për të pastruar paratë nga Shqipëria në një vend tjetër është Tiranë-Tiranë.
Zëri i Amerikës: Zoti Çeku, përse të huajt nuk investojnë në Shqipëri? Më duket se kjo është një pyetje shumë thelbësore A e shtrojnë ndonjëherë seriozisht politikanët këtë pyetje?
Robert Çeku: Mua do më vinte mirë sikur pyetjen tuaj tja drejtonit ju ose dikush tjetër publikisht kryeministrit Nano. Por meqë ma drejtoni mua, do t’ju përgjigjem haptazi, ashtu si e mendoj unë. Ka disa vite që të huajt nuk vijnë në Shqipëri për shumë arsye. E para është mungesa e stabilitetit politik. Në një vend që kalon nga një krizë në një tjetër, vështirë se mund të bëhet atraktiv për investitorët e huaj. Së dyti ka mungesa të theksuara në legjislacion. Për një kohë ne përdorëm ato që quhen “tax holidays” ose lehtësirat tatimore. Ka dy, tre vjet që ato janë hequr. Dhe së treti, dhe më e rëndësishmja, është që më duket sikur qeveria shqiptare nuk bëhet shumë merak në se vijnë apo jo investitorë të huaj. Për ta është më e rëndësishme që të vazhdojnë në këtë ambjent kontrabande dhe korrupsioni për tu pasuruar për vete me idenë që ata që vijnë më pas le të bëjnë ç’të duan.
Zëri i Amerikës: Para pak minutash korrespondenti ynë foli për vlerësimet e Fondit Monetar për ekonominë e Shqipërisë Në përgjithësi, sa mendoni se e njohin gjendjen reale të Shqipërisë ekspertët e Fondit Monetar dhe ju si specialist a keni vërejtje ndaj tyre?
Robert Çeku: Edhe kjo është një pyetje interesante. Gjykimi im është ky: Sa vjen, në pesë vitet e fundit, interesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare ka filluar të zbehet për Shqipërinë. Unë këtë e shoh në dy drejtime kryesore. Së pari në përbërjen e ekipeve që vijnë dhe ulen në negociata me qeverinë shqiptare i cili vjen në nivele gjithnjë e më të ulët. Së dyti, të mësuar me politikën e “yesman”-it, pra të njeriut që thotë gjithnjë ”po”, negociatat bëhen shumë të lehta. Mjafton t’i paraqesësh qeverisë një “leter of intent” dhe këta firmosin menjëherë. Kjo nuk krijon një frymë negociatash të vërteta. Unë di këtë gjë nga filozofia e FMN-së, që në se shohin një qeveri ose një ekip i cili thotë gjithnjë ”po”, unë mendoj që edhe shtypja, presioni që vjen nga institucioni është akoma më i madh. Ndërkohë, edhe projektet që qeveria shqiptare me rastin e hartimit të projekt-buxhetit u paraqet atyre për diskutim, unë mendoj që janë shumë të varfëra. Aq më tepër që problemet po komplikohen gjithnjë e më shumë sepse këto ditë, ose më mirë të them sot, përfaqësuesi i FMN-së hodhi poshtë edhe kërkesat sintetike të biznesit shqiptar për ulje taksash, ndërkohë që me sa di unë në vitin 2004, totali i të ardhurave të buxhetit do të jetë mbi 20 e ca miliardë lekë të reja më shumë sesa realizimi i 2003shit. Në këto kushte mungesa e një pakete fiskale efikase, fakti që s’ka investime të huaja dhe nuk ka politika mbështjeje buxhetore në formën e mbështetjes me financime të huaja të buxhetit, unë mendoj që viti 2004 po troket në një krizë të plotë ekonomike.
Zëri i Amerikës: Besoj se kjo tablo sipas jush e zymtë, komplikohet edhe më shumë nga zhvillimet e fundit politike në Shqipëri. Sa mund ta dëmtojnë ato vendin nga pikpamja e zhvillimit ekonomik?
Robert Çeku: Sigurisht që e dëmtojnë. Ka disa njerëz që thonë se nuk ka, siç është ministri aktual i financave i cili, unë e kuptoj që për konsum propagandistik thotë që kriza aktuale e qeverisë shqiptare dhe çdo gjë që po ndodh me të në Shqipëri nuk ka ndikime në ekonomi. Në fakt ndikimet negative në ekonomi nuk maten që në ditët ose javët e para të krizës, ato që ndihen janë efektet psikologjike. Matja do të ndodhë më vonë sikur kriza të vazhdojë. Unë personalisht uroj që të zgjidhet sa më shpejt kjo krizë që të mos fillojmë pastaj të masim efektet negative të krizës në ekonomi.