Ushtarë izraelitë vranë sot një palestinez dhe plagosën një tjetër pranë kufirit midis Izraelit dhe Rripit të Gazës.
Zyrtarë ushtarakë izraelitë thanë se ushtarët hapën zjarr kur dy ekstremistët hynë në një zonë të ndaluar në anën izraelite të kufirit. Ushtria izraelite thotë se dy ekstremistët vendosën një bombë 20 kilogramëshe, që u çmontua nga forcat izraelite. Zyrtarë palestinezë të sigurimit e identifikuan ekstremistin e vrarë si anëtar të grupit Xhihadi Islamik.
Ndërkohë, Grupi Brigadat Martire Al-Aksa mori përgjegjësinë për plagosjen e një koloni izraelit, kur një ekstremist hapi zjarr sot kundër një makine në afërsi të qytetit Xhenin të Bregut Perëndimor. Tanket izraelite u përgjigjën duke qëlluar një shtëpi palestineze në Bregun Perëndimor, ku sipas njoftimeve, ishte fshehur personi i armatosur, por më pas u zbulua se në atë shtëpi nuk kishte njeri.
Ndërkaq, Izraeli thotë se mund të zbutë kufizimet e lëvizjeve të palestinezëve në Rripin e Gazës dhe Bregun Perendimor, të vendosura para një muaji, si masë për të parandaluar sulmet gjatë festave hebraike. Disa oficerë të ushtrisë thonë se vazhdimi i kufizimeve ndaj udhëtimit zemëron palestinezët dhe forcon pozitën e grupeve ekstremiste, gjë që rritë rrezikun e sulmeve terroriste. Kryeministri palestinez, Ahmed Kureia, tha se ka diskutuar me disa grupe ektremiste palestineze, përfshirë Hamasin, rreth një armëpushimi të mundshëm. Ai tha se bisedimet ishin konstruktive, por nuk dha hollësi të tjera.// lk //