Kombet e Bashkuara bënë publik raportin e dytë të një serie raportesh mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në vendet arabe. Ashtu si në raportin e parë në korrik të vitit të kaluar, studimi i ri u përpilua nga një grup akademikësh arabë. Raporti i Kombeve të Bashkuara merr në shqyrtim 22 vende arabe me një popullsi të përgjithshme prej 280 milionë banorësh. Të dy raportet e bëjnë të qartë se këtyre vendeve u duhet të kapërcejnë shumë probleme të vështira. Këtu përfshihet nevoja për të garantuar të drejta të barabarta për gratë dhe liri politike për të gjithë qytetarët, lufta kundër korrupsionit dhe nismat për krijimin e mundësive në fushën e arsimit e kontaktet intelektuale me pjesën tjetër të botës.
Raporti i ri Kombeve të Bashkuara përqendrohet në ”Krijimin e Një Shoqërie të Bazuar në Dituri”. Studimi tregon se sistemi arsimor në vendet arabe nuk është i zhvilluar sa duhet. Shumë fëmijë ende nuk kanë mundësi për shkollimin-bazë. Përqindje të larta analfabetizmi tek gratë vazhdojnë në shumë vende arabe. Përqindja e regjistrimeve në universitete e kolegje ka rënë, si edhe shpenzimet publike për arsimin. Edhe cilësia e mësimdhënies ka rënë.
Fjala e shtypur është një mjet thelbësor për zgjerimin e njohurive. Por pak libra janë përkthyer në arabisht nga gjuhët e tjera. Analfabetizmi i lartë shpjegon gjithashtu se përse numri i përgjithshëm i librave të botuar në vendet arabe mezi e kalon 1 për qindëshin e numrit të librave në shkallë botërore, edhe pse arabët përbëjnë 5 për qind të popullisë së globit.
Mjetet e informimit janë format më të rëndësishme sot për përhapjen e diturisë dhe informacionit. Megjithatë, siç theksohet në raportin e Kombeve të Bashkuara, mundësia e arabëve për të siguruar gazeta, për të dëgjuar radion e ndjekur televizionin, është nën mesataren botërore. Në shumicën e vendeve arabe, qeveria kufizon me rreptësi lirinë e shtypit. Gazetarët përballen me frikësime dhe kërcënime fizike. Censura është e zakonshme, ndërkohë që gazetat dhe kanalet televizive shpesh mbyllen arbitrarisht.
Vendet arabe po mbeten gjithashtu mbrapa në fushën e teknologjive informative bazë. Numri i linjave telefonike në vendet arabe nuk është as sa 1 e pesta e vendeve të zhvilluara. Qasja në rrjetet dixhitale të komunikimit është ndër më të ulëtat në botë. Për çdo 1 mijë banorë në rajon, ka vetëm 18 kompjutera, krahasuar me mesataren botërore prej 78 kompjutera për 1 mijë banorë. Më pak se 2 për qind e popullsisë përdor internetin.
Raporti i Kombeve të Bashkuara e bën të qartë se vendet arabe duhet të heqin kufizimet ndaj rrjedhjes së lirë të informacionit, në mënyrë që dituria të përftohet në të gjitha format e saj. Përndryshe, hendeku ekonomik, shoqëror dhe politik ndërmjet vendeve arabe e pjesës tjetër të botës do të vazhdojë të thellohet. //az//