Lidhje

4 të vrarë nga një shpërthim në Irak - 2003-10-28


Në Irak, të paktën 4 vetë janë vrarë nga shpërthimi i një makine bombë pranë një stacioni policie në qytetin Falluxha në perëndim të Bagdatit.

Sipas policisë irakiane dhe dëshmitarëve makina bombë shpërtheu në mesditë rreth 100 metra larg stacionit të policisë, pranë një shkolle dhe një nënstacioni elektrik. Ka njoftime kontradiktore në se shoferi ishte brenda në makinë kur ajo shpërtheu.

Ndërkohë, zyrtarët e Shteteve të Bashkuara njoftuan se dje në Bagdat u vra një ushtar amerikan ndërkohë që të dielën gjatë natës u vra nga persona të panjohur nënkryetari i Bashkisë së Bagdatit.

Dje në Bagdat shpërthyen 4 makina bombë duke shkaktuar të paktën 34 të vrarë. Një prej shpërthimeve të djeshme ndodhi pranë zyrave të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, ndërsa tre të tjerët pranë stacioneve të policisë.

Po dje, në Uashington, Sekretari i Shtetit Colin Powell i bëri thirrje Kryqit të Kuq dhe organizatave të tjera të ndihmave që të vazhdojnë punën në Irak.

Por një zëdhënëse e Kryqit të Kuq tha sot se ende nuk është marrë vendim nëse kjo organizatë do ta pakësojë apo jo personelin në Bagdat.

Sekretari Powell tha se nuk është e qartë nëse sulmet ishin planifikuar që të përkonin me muajin e shenjtë të Ramazanit, apo ishin fillimi i një rezistencenë në shkallë të gjerë.

Por ai tha se shpërthimet nuk do t’i ndalin përpjekjet amerikane të rindërtimit në Irak.//ii

XS
SM
MD
LG