Lidhje

Fillon Ramazani, Presidenti Bush përshëndet myslimanët - 2003-10-27


Myslimanët kudo në botë kanë hyrë në muajin e shenjtë të Ramazanit me agjërime të përditëshme që fillojnë nga lindja e diellit e deri në perëndim të tij. Ramazani filloi mbrëmë në disa vende, duke përfshirë Egjiptin dhe Jemenin. Sot në muajin e shenjtë hyri edhe Indonezia, e cila ka popullsinë më të madhe myslimane të botës si dhe pjesë të tjera të botës. Në përshëndetjen e tij vjetore me rastin e Ramazanit, Presidenti Bush tha se Islami është një fe paqësore që ka ndihmuar në formimin e karakterit të Amerikës dhe ka dhënë kontribut të madh në botë. Ramazani llogaritet sipas kalendarit hënor. Ai fillon kur klerikët islamikë shikojnë dritën e parë të hënës së re.

Përshëndetja e Presidentit Bush me rastin e Ramazanit

”Me rastin e fillimit të muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit, u përcjell urimet më të ngohta myslimanëve në Shtetet e Bashkuara dhe në të gjithë botën. Ramazani është periudha më e shenjtë në besimin islam, e cila shënon zbulimin e Kuranit nga Muhameti.

Ky muaj vetëshqyrtimi u jep myslimanëve rastin të përqendrohen tek besimi i tyre dhe të praktikojnë porositë e Zotit. Nëpërmjet agjërimit, meditimit dhe akteve të bamirësisë, myslimanët në gjithë botën përtërijnë angazhimin e tyre për të bërë një jetë të karakterizuar nga ndershmëria, integriteti dhe mëshira.

Gjatë gjithë historisë sonë, njerëz të besimeve të ndryshme fetare kanë brumosur karakterin e kombit tonë. Islami është një fe paqesore dhe njerëzit që praktikojnë Islamin, i kanë dhënë kontribut të madh vendit tonë dhe botës.

Si amerikanë, ne vlerësojmë lart lirinë tonë për të adhuruar dhe mbetemi të angazhuar të pranojmë në gjirin tonë individë të të gjitha feve.

Duke punuar së bashku për të forcuar lirinë dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, ne po krijojmë një të ardhme më të ndritshme shprese dhe mundësish.

Laura bashkohet me mua në dërgimin e urimeve më të përzemërta. Për shumë vjet e gëzuar Ramazanin.”//ii

XS
SM
MD
LG