Lidhje

A janë dakord amerikanët me subvencionet bujqësore? - 2003-10-18


Dështimi i takimit ministror të Organizatës Botërore të Tregëtisë muajin e kaluar në Meksikë, u shkaktua kryesisht nga ankesat e vendeve në zhvillim lidhur me subvencionet bujqësore në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të pasura.

Kritikët thonë se këto subvencione i ulin çmimet për shumë mallra, duke e bërë të vështirë përballimin e jetesës për fermerët në vendet e varfra.

Edhe në zonën më të pasur bujqësore të Amerikës, të paktë janë ata që thonë se sistemi aktual i subvencioneve bujqësore është ideal. Shumë fermerë dhe përfaqësues të korporatave të mëdha bujqësore që përfitojnë nga këto ndihma të qeverisë, thonë se do të donin një sistem tregëtar botëror më të hapur që do ta pakësonte nevojën për subvencione.

Subvencionet për prodhimet bujqësore jepen nga Departamenti i Bujqësisë. Ato i garantojnë fermerit një pagesë të caktuar pavarësisht nga gjendja e tregut. Çdo prodhim bujqësor përtej masës së caktuar nxirret në tregun botëror dhe ul çmimet. Një gjë e tillë ka pasoja negative për vendet në zhvillim, ku subvencionet nuk janë aq të bollshme.

Shumë kritikë të këtij sistemi thonë se ai favorizon kompanitë e mëdha bujqësore që merren me eksportin e mallrave. Kongresi amerikan i ka miratuar subvencionet si një mënyrë për të garantuar sigurinë në mallrat ushqimore dhe për të ndihmuar fermerët në rast moti të keq, thatësirash dhe rëniesh të menjëhershme të çmimit në treg. Por ekonomisti Bruce Babcock i Universitetit Shtetëror në Iowa thotë se mënyra sesi janë ndërtuar programet favorizon fermat e mëdha me sipërfaqe të gjera toke.

“Kështuqë në fakt janë fermat e mëdha që përfitojnë nga këto subvencione. Këtu e kanë burimin statistikat, sipas së cilave 80 për qind e subvencioneve u shkojnë 20 për qind të fermerëve”.

Neal Bredehoeft, zëvendëspresident i Shoqatës Amerikane të Sojës thotë se ky sistem nxit efektivitetin dhe rrit përfitimet për familjet që punojnë shumë. Ai thotë se mbase fermat e vogla nuk përfitojnë aq shumë, por thekson se ky nuk është program nga i cili përfitojnë vetëm korporatat e mëdha.

Bruce Babcock thotë se e vetmja arsye që Shtetet e Bashkuara janë në krye të prodhimit ushqimor është rritja e prodhimit që ka ardhur si rezultat i studimeve shkencore në institucione të tilla si Universiteti Shtetëror i Iowas. Por ai e pranon që subvencionet luajnë një farë roli në mbajtjen e çmimeve të ulëta të ushqimeve në Shtetet e Bashkuara dhe shton se Kongresi e mbështet këtë ide: “Nëse pyet Kongresin se pse i miratoi këto subvencione, e para gjë që do të të thonë atje është se duhet të sigurohemi që të kemi bollëk në ushqime. Kështu ka një farë të vërtete të paktën në mendjen e anëtarëve të Kongresit që miratuan këtë politikë bujqësore se ne po paguajmë për të patur siguri ushqimore në Shtetet e Bashkuara”.

Bruce Babcock i cilësoi si fatkeqësi mosmarrëveshjet rreth subvencionet që shkaktouan dështimin e takimit të fundit të Organizatës Botërore të Tregëtisë, por tha se mbetet optimist se një marrëveshje për një farë ulje të subvencioneve do të arrihet përmes negociatave ndërkombëtare në vitet e ardhshme.//kk//

XS
SM
MD
LG