Michael Boshart, shef i zyrës për Kosovën në Departamentin amerikan të Shtetit në Washington, i cili po viziton Kosovën, tha sot në Prishtinë se qeveria amerikane shpreson se privatizimi mund të vazhdojë, sepse është pjesë shumë e rëndësishme për modernizimin e ekonomisë dhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Zoti Boshart tha se shpreson se vështirësitë rreth privatizimit do të tejkalohen shumë shpejt dhe se ky proces mund të vazhdojë, sepse është proces i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Shefi i zyrës për Kosovën në Departamentin amerikan të Shtetit, i bëri këto komente pas takimit me Ministrin e Ekonomisë dhe Financave Ali Sadriu, me të cilin bisedoi për disa çështje ekonomike, veçanërisht për privatizimin.
Procesi i privatizimit u ndërpre javën e kaluar me vendim të shefit të shtyllës së katërt të UNMIK-ut, Nikolaus Lambsdorff. Ndërkohë sot në vendkalimin kufitar Merdar mes Kosovës dhe Serbisë, u sollën 40 trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës, të zhvarrosur në Batajnicë të Serbisë.
Drejtuesi i zyrës së UNMIK-ut për të zhdukurit, Hoze Baraibar, deklaroi se numri i përgjithshëm i trupave të kthyer nga Serbia tani arrin në 145. Baraibar tha se qindra mostra të ADN-së u janë dorëzuar autoriteteve serbe për të identifikuar edhe shumë trupa të tjerë që ndodhen në Serbi. Të 40 trupat u dërguan në morgun e Rahovecit, ku ekspertët e mjekësisë ligjore do të bëjnë idenfikimin e tyre.// lk //