Lidhje

Zyrtari i Departamentit të Shtetit kritikon politikanë shqiptarë të Kosovës - 2003-10-14


Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit shprehu zhgënjim ndaj qendrimit të politikaneve shqiptare lidhur me bisedimet e Vjenës. Larry Rossin, ndihmës zëvendës sekretar i shtetit, i cili përfaqësonte Shtetet e Bashkuara në bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit, i tha korrespondentit tonë Besim Abazi se qendrimi i perfaqesuesve politike te shqiptareve ishte jo konstruktiv.

Zoti Rossin ishte mjaft i drejtpërdrejtë në komentet e tij lidhur me qendrimin e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve për bisedimet e Vjenës.

”E kam fjalën sidomos për udhëheqës të ndryshëm politikë të Kosovës, të cilët na zhgënjyen së tepërmi me qendrimet jo konstruktive, me pozat e tyre politike si dhe me qendrimet plot paragjykime dhe jo dinjitoze,” tha ndihmës zëvendës sekretari amerikan i shtetit.

Ambasadori Rossin tha se me këto qendrime ata nuk i bënë një shërbim popullit të Kosovës. Ata, tha ai, dëgjuan njerëz që nuk u dhanë atyre këshilla të mira.

Në intervistën për Zërin e Amerikës, Ambasadori Rossin tha se ishte relativisht i inkurajuar nga fillimi i bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Natyrisht, tha ai, secila palë shprehu qendrimet e veta dhe perceptimet e saj politike në deklaratat e hapjes, por këto janë bisedime teknike dhe ajo që në të vërtetë ishte e nevojshme këtu ishte që t’u jepej një shtytje politike ekpertëve të cilët do të diskutojnë më pas për çështjet teknike.

Ai tha se ky ishte qëllimi i takimit të sotëm dhe, sipas mendimit të tij, ky qëllim u arrit.

Zoti Rossin përsëriti se këto nuk janë bisedime për statusin përfundimtar të Kosovës, por bisedime teknike për çështje teknike. Me statusin përfundimtar, tha ai, do të merret një proces i veçantë kur të vijë koha dhe kjo kohë ende nuk ka ardhur.//ii

XS
SM
MD
LG