Lidhje

Britania, Franca dhe Gjermania bejne thirrje per kalimin e shpejte te pushtetit ne Irak - 2003-09-20


Udhëheqësit e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë bënë thirrje për kalimin e pushtetit në Irak sa më parë që të jetë e mundur dhe që Kombet e Bashkuara të luajnë një rol kryesor në atë vend.

Megjithatë kryeministri britanik, Tony Blair, presidenti francez, Zhak Shirak, dhe kancelari gjerman, Gerhard Shrëder, pranuan se ekzistojnë mosmarrëveshje lidhur me hollësitë dhe kohëzgjatjen e rindërtimit të Irakut.

Udhëheqësi francez dhe ai gjerman ishin kundërshtarët më të ashpër të luftës në Irak, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që kryeministri Blair ishte aleati më i ngushtë i Washingtonit.

Duke folur në një konferencë shtypi në Berlin, zoti Blair shprehu optimizëm se mosmarrëveshjet ekzistuese mund dhe do të kapërcehen. Ai shtoi se një Irak i qëndrueshëm është në interessin e çdo kujt.

Kancelari Shrëder tha se është e rëndësishme që Kombet e Bashkuara të luajnë një rol më të madh në Irak, ndërkohë që zoti Shirak kërkoi një kalim më të shpejtë të vetë-qeverisjes në Irak.

Udhëheqësi gjerman dhe ai francez do të takohen javën e ardhshme në New York me presidentin Bush, i cili kërkon një rezolutë në Këshillin e Sigurimit, që do të ndihmonte në ndarjen e barës së madhe financiare dhe të sigurimit në Irak.

Për veç diskutimit të gjenjes në Irak, udhëheqësit evropianë ranë dakord lidhur me një nismë franko-gjerman për t’i dhënë shtytje rritjes ekonomike të Bashkimit Evropian. Zotërinjtë Shirak dhe Shërder e hartuan propozimin prej 10 pikash gjatë një takimi këtë javë.

Kjo nismë përfshin thirrjet për investime në telekomunikacione dhe në energjinë e ripërtërirë, por nuk është ende e qartë se sa do të kushtojë kjo nismë dhe kush do të paguajë për të.

//ze//

XS
SM
MD
LG