Lidhje

Uragani Isabel pritet te prek bregdetin amerikan te enjten - 2003-09-16


Cikloni Izabelë nuk është shumë larg dhe këta studiues po nisen nga baza e tyre e Karaibeve për ta parë atë akoma më nga afër. Ata sapo janë njoftuar se stuhia mund të intensifikohet. Para nisjes, piloti thotë se është i vendosur të vazhdojë traditën e shkëlqyer të ekuipazhit për sa i përket sigurisë së fluturimit.

Avioni i tipit Lockeed P-3 është i projektuar në mënyrë të tillë që të përballojë rrebeshin e ciklonit. Studiuesit thonë se vetëm një herë ka ndodhur që anëtarët e ekuipazhit të kenë humbur jetën nga cikloni.

"Mjeti është shumë i sigurt dhe ne nuk kemi humbur asnjë avion në Atlantik qysh nga viti 1955, kur cikloni ishte i kategorisë së pestë,” thotë Sim Aberson.

Mirëpo të gjithë e dinë mirë se edhe tani ata po fluturojnë në një ciklon të kategorisë 5.

"Natyrisht të gjithë e kemi parasysh këtë por njeriu nuk mund të rrijë gjithë kohën duke u shqetësuar," thotë piloti Harris Halverson.

"Gjithmonë kam frikë kur hyjmë në rrezen e ciklonit sepse kjo është e natyrshme. Cdo njeri ka frikë në raste të tilla, thotë Jim McFadden," menaxher i projektit.

Pas një ore, aeroplani fillon të tundet në mënyrë të frikshme.

Në syrin e ciklonit Izabelë ndodhen erërat më të forta të tij. Në fakt, avioni 28-vjeçar po shkundet nga erëra që i kalojnë 280 kilometra në orë.

Ndërkohë që avioni tundet furishëm, shkencëtarët hedhin jashtë avionit cilindra të vegjël sondë mu në barkun e bishës që quhet ciklon.

Cilindra të mbushur me ndjesorë u përcjellin menjëherë kompjuterave në avion shpejtësinë e erës.

Ndërsa avioni çan murin rrethues të syrit të ciklonit, papritur vjen një çast qetësie dhe ekuipazhi shijon bukurinë dhe qetësinë e syrit. Por pikërisht brenda kësaj vorbulle të stërmadhe shkencëtarët kanë regjistruar me anë të sondave një moment historik.

"390 kilometra në orë, kaq është shpejtësia e erës brenda ciklonit," thonë studiesit.

Është gati e pabesueshme. 390 kilometra në orë, përbën shpejtësinë më të madhe të regjistruar ndonjëherë nga një avion studimor.

"Unë kam parë shumë stuhi të forta por asnjëra më e fuqishme se kjo", thotë Jim McFadden.

Për shkencëtarët, ky ishte një udhëtim tepër i veçantë sepse ciklonet e kategorisë 5 janë po aq të jashtëzakonshëm sa edhe të fuqishëm.

//rd//

XS
SM
MD
LG