Nënpresidenti i Iranit, Gholamreza Agazadeh, i cili shërben edhe si shefi i energjisë bërthamore, tha se qeveria e Teheranit mbetet e angazhuar të respektojë Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, por kundërshton afatin e caktuar javën e kaluar që ajo të provojë se nuk po zhvillon armë të tilla.
Zoti Agazadeh tha se Teherani do t’i vazhdojë bisedimet me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për të lejuar inspektimin pa paralajmërim të objekteve të tij bërthamore.
Por duke folur dje në një takim të agjencisë së Kombeve të Bashkuara në Vjenë, zoti Agazadeh la të kuptohej se Irani mund të mos jetë në gjendje të provojë brenda afatit të 31 tetorit se nuk ka një program të fshehtë armësh atomike.
Ndërkohë, në Teheran u dëgjuan të shtëna armësh përjashta ambasadës britanike, për herë të tretë këtë muaj. Nuk pati të plagosur.
Ministria e jashtme e Iranit dënoi të shtënat e fundit të armëve dhe njoftoi se kishte filluar hetimet. Tensionet midis Britanisë dhe Iranit u shtuan muajin e kaluar kur policia britanike arrestoi një ish diplomat iranian në lidhje me një shpërthim në Argjentinë në vitin 1994. Ish diplomati, Hadi Soleimanpor, është liruar me kusht.
//ze//