Lidhje

Të krishterët irakianë ushtrojnë besimin nën frikën e sulmeve - 2003-09-14


Të krishterët irakianë janë bërë objekt sulmesh nga banditë dhe ekstremistë myslimanë, por shumë prej tyre vazhdojnë ta vënë veten në rrezik për të marrë pjesë në shërbesat kishtare.

Ndërkohë që të shtënat e armëve mund të dëgjohen në largësi, qindra të krishterë irakianë këndojnë këngë për Jezu Krishtin, për të cilin ata thonë se u jep shpresa në një vend të shkatërruar nga lufta dhe dekada të tëra diktature.

Për të shkuar në kishë, besimtarët thuajse vrapojnë nëpër rrugë nga frika e sulmeve prej ekstremistëve myslimanë që kanë vënë në shënjestër dyqanet e pronarëve të krishterë dhe gratë e krishtera që nuk vënë shami në kokë.

Kisha Aleanca Protestante është një prej shumë kishave të zgjeruara apo të themeluara pas përmbysjes së regjimit të Sadam Huseinit. Një tubim i tillë i hapur do të kishte qenë i pamundur nën regjimin e mëparshëm, gjatë të cilit janë djegur të gjitha kishat jo tradicionale.

Mirëpo, arritja e forcave amerikane në Irak krijoi kushtet për hapjen zyrtarisht të dyerve të kishave. Megjithatë, pjesëmarrja në shërbesat kishtare ditën e diel, mund të jetë e rrezikshme.

32 vjeçarja Maral Manuel, e cilëson veten si të krishtere të lindur rishtas dhe i lutet Perëndisë për mbrojtje në shoqërinë gjithnjë e më të paqendrueshme irakiane.

“Zoti Jezus mbrojti jetën tonë, pasi siç e dini, në këtë vend ka shumë hajdutë, kriminelë dhe vrasës. Është me të vërtetë një jetë e vështirë. Mirëpo, Ai na ka shpëtuar me anë të ushtarëve dhe engjujve të Tij”.

Zonja Manuel dhe të krishterë të tjerë thonë se shërbimi i veçantë me autobus do të jetë i nevojshëm për një kohë të gjatë për shkak të dhunës së vazhdueshme kundër besimtarëve të krishterë.

Ajo thotë se një i krishterë u vra dhe katër të tjerë u plagosën pa bërë asgjë, kur persona të paidentifikuar hapën zjarr kundër shitësve të pijeve alkoolike. Punonjës ndërkombëtarë të ndihmave thonë se ky nuk ishte një incident i izoluar. Sipas tyre, të paktën 7 fabrika pijesh alkoolike, prona të të krishterëve, janë djegur nga ekstremistë myslimanë që nga përmbysja e Sadam Huseinit.

Bashkërenduesi i shoqatës së mirë-informuar të krishterë Manara me bazë në Jordani, Saleh Fakuri, thotë se gjendja është shumë e rëndë në disa zona:

“Shumica e banorëve në Basra, tha zoti Fakuri, përbëhet nga myslimanë shiitë. Ata i kanë paralajmëruar gratë e krishtera që të vënë shami në kokë. Nëse një grua del në rrugë pa mbuluar flokët, ajo ndëshkohet në vend”.

Grupet e të drejtave të njeriut e kanë lidhur dhunën kundër rreth një milionë të krishterëve të Irakut kryesisht me pjesëtarët e vijës së ashpër të shumicës shiite. Shiitët janë akuzuar se edhe po përpiqen të rrisin ndikimin e tyre në krahasim me atë të myslimanëve suni.

Myslimanët ekstremistë janë zemruar në mënyrë të veçantë nga njoftimet për ringjalljen e Krishterimit në Irak dhe planet e organizatave ndërkombëtare për të shtuar përhapjen e literaturës së krishterë në Irak, përfshirë biblën e parë për fëmijë të publikuar në gjuhën kurde.//kk//

XS
SM
MD
LG